E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Turistët e huaj vlerësojnë sigurinë në Shqipëri

TIRANË, 31 janar/ATSH-Maela Marini/ Siguria është një prej elementëve që vlerësohet më shumë nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në prezantimin e rezultateve të anketimit mbi perceptimin e publikut për situatën e sigurisë.

Kryeministri bëri të ditur se perceptim pozitiv për situatën e sigurisë në vend kanë edhe turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

“Këto shifra janë histori, janë histori të jetuara, janë histori njerëzish që sot lëvizin të qetë në rrugët e qyteteve tona ditën dhe natën. Janë histori turistësh që vijnë me miliona e miliona në vit dhe në 3 fjalë që thonë në të gjitha ato anketime që ne i bëjmë vetë për të kuptuar se çfarë i pëlqen e çfarë s’u pëlqen, 99% e tyre thonë 3 fjalë dhe në këto 3 fjalë, një është për sigurinë, mikpritjen njerëzore, bukurinë natyrore, siguri shembullore. Këto janë 3 fjalët që thonë të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Duke u ndalur te reformimi i Policisë së Shtetit, kryeministri theksoi se “ka akoma plot të meta për të adresuar, boshllëqe për të mbushur dhe masa të tjera për të marrë për të transformuar Policinë e Shtetit deri në pikën që të jetë në mes të policive të Bashkimit Europian”.

“Kjo duke i garantuar standardet dhe vazhdimësinë e saj, që si do që rrotullohet politika, Policia e Shtetit të mos kthehet kurrë mbrapa dhe besimi te Policia e Shtetit që është rritur vijimësinë duhet të vazhdojë forcohet. Ky është guri themelor për një shtet të së drejtës ku barazia para ligjit dhe kërkesa e llogarisë nga kushdo që e shkel ligjin duhet të kthehen në një normë jo vetëm të padiskutueshme, po edhe të pashmangshme dot nga askush”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se beteja e betejave është respekti, që duhet të ndjejë çdo qytetar i kësaj Republike kur përballet ose kur sheh të tjerë si vetja të përballen me një punonjës Policie për çfarëdolloj arsyeje. Atëherë, vijoi ai “mund të themi që e kemi fituar betejën e betejave të transformimit demokratik të Shqipërisë”.

“Transparenca dhe llogaridhënia janë pika kyçe për rritjen e mëtejshme të besimit te Policia e Shtetit dhe prandaj unë e çmoj shumë këtë këshillë në nivel kombëtar dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë për ta forcuar pavarësinë e forcës tonë policore duke siguruar që veprimtaria e saj të udhëhiqet gjithmonë nga ligji dhe interesat më të mirë të qytetarëve kanë bërë diferencën me të shkuarën, por janë të pamjaftueshëm”, tha Kryeministri. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›