E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: Ukraina do përdorë ndihmën e re të BE-së për të blerë raketa “Patriot” nga SHBA

BRUKSEL, 8 shtator /ATSH-DPA/ –  Bashkimi Evropian do t’i lejojë Ukrainës të përdorë ndihmën e re financiare për të blerë raketa të mbrojtjes ajrore “Patriot” të prodhuara në SHBA, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një përjashtim që lejon përdorimin e këtyre fondeve për blerjen e armëve amerikane, deklaroi von der Leyen.

Në përgjithësi, ndihma ushtarake e BE-së synon t’u japë përparësi blerjeve nga prodhuesit evropianë të mbrojtjes.

Sipas von der Leyen, Ukraina pritet të marrë sa më shpejt të jetë e mundur edhe 3,2 miliardë euro (3,7 miliardë dollarë) shtesë.

Këto fonde do t’i mundësojnë Ukrainës të mbrojë më mirë hapësirën e saj ajrore nga ato që presidentja e Komisionit Evropian i cilësoi si “sulme pa dallim” të Rusisë.

Von der Leyen e bëri deklaratën në një komunikatë të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

NATO është e përfshirë në këtë përpjekje përmes të ashtuquajturës iniciativa PURL, në kuadër të së cilës aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja financojnë blerjen e armëve të prodhuara në SHBA për Ukrainën.

Financimi i ri do të sigurohet përmes huasë aktuale të BE-së për mbështetjen e Ukrainës, e cila parashikon pagesa deri në 90 miliardë euro deri në fund të vitit 2027.

Fondet synojnë të ndihmojnë Ukrainën të vazhdojë mbrojtjen e saj kundër forcave ruse, si dhe të shmangë që vendi të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e tij financiare.

Sipas Komisionit Evropian, vendimi formal që autorizon pagesën prej 3,2 miliardë eurosh pritet të merret gjatë ditëve të ardhshme. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›