E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti para Kuvendit, Luarasi: Do ta denoncoj këtë rast, drejtësia të veprojë

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi ka reaguar për incidentin e ndodhur sot para hyrjes në Kuvend, ku u përball me dhunë verbale nga disa protestuese.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Luarasi u shpreh se disa vajza të reja e kishin pritur pranë hyrjes së Kuvendit me sharje dhe fyerje, ndërsa po e filmonin me celularë.

“Sot, duke hyrë në Parlament, disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kisha përgatitur”, tha Luarasi.

Ajo u shpreh se situata e kishte lënduar, duke sqaruar se jo për shkak të kritikave, por për faktin se disa vajza po e shihnin poshtërimin e një gruaje si mënyrë për të mbrojtur gratë.

“Për një çast u lëndova, jo se nuk e përballoj kritikën, po sepse pashë vajza të reja që besonin se poshtërimi i një gruaje ishte mënyra për të mbrojtur gratë. Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoi të mi vjedhë askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm”, tha deputetja socialiate.

Mê tej, Luarasi theksoi se “më akuzuan se nuk mbroj gratë ndërkohë që po dhunonin vetë verbalisht një grua. Kjo është vërtetë ironike, po edhe për të ardhur keq. Mbrojtëse të grave me fyerjen në gojë, me telefonin në dorë dhe një grua të vetme që e kishin rrethuar”.

Ajo shtoi se bën dallim të qartë mes aktivizmit dhe agresionit.

“Unë nuk pretendoj të përfaqësoj këto gra që ngatërrojnë aktivizmin me agresionin, protestën me pritën dhe guximin me fyerjen, por përfaqësoj gra dhe vajza të tjera që punojnë dhe e ngrenë zërin me dinjitet, ato që nuk kanë nevojë për një grup, kamera dhe një viktimë për t’u ndjerë të fuqishme. Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë, sepse fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm dhe dhuna nuk bëhet më pak dhunë vetëm sepse ushtrohet nga vajza”, deklaroi deputetja e PS, Luarasi.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›