E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen takohet me të dërguarin e SHBA-së për të diskutuar luftën në Ukrainë

BRUKSEL, 18 shkurt /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u takua sot në Bruksel me të dërguarin special të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg – ndërsa ministrat e Jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë biseduan në Riad për përmirësimin e marrëdhënieve dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.

Asnjë përfaqësues nga Ukraina apo Bashkimi Evropian nuk ishin të pranishëm në takimin e Riadit.

Vendet e BE-së dhe Ukraina janë të alarmuar nga perspektiva e SHBA-së dhe Rusisë që kërkojnë një zgjidhje paqeje në mënyrë dypalëshe.

Në takimin e saj në Bruksel me të dërguarin e SHBA-së, Keith Kellogg, presidentja e BE-së, Von der Leyen përsëriti se çdo rezolutë duhej të respektonte pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të mbështetur nga garanci të forta sigurie.

Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë e BE-së për të punuar së bashku me SHBA-në për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të ndihmuar në sigurimin e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme që Ukraina dhe populli i saj me të drejtë meritojnë.

Në deklaratat e bëra javën e kaluar, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth tha se paqja në Ukrainë kishte të ngjarë të arrihej pa rimarrjen e territoreve që Rusia kishte pushtuar në Ukrainë, pa anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe pa mbështetjen e trupave amerikane.

Evropianët kanë diskutuar mundësinë e dislokimit të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë, por ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe zëvendësi i tij Alexander Grushko kundërshtuan sot përdorimin e ushtarëve perëndimorë në Ukrainë.

Në një konferencë për shtyp, pas takimit të tij me sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio në kryeqytetin saudit, Riad – Lavrov e përshkroi gjithashtu praninë e paqeruajtësve të NATO-s si të papranueshme.

Kremlini theksoi një ditë më parë se parashtroheshin çështje ligjore në lidhje me një dislokim të tillë. Rusia nuk do të lejojë ushtarë nga vendet anëtare të NATO-s në Ukrainë.

Aktualisht, po zhvillohet një debat për dislokimin e një force të mundshme paqeruajtëse për të siguruar një armëpushim në Ukrainë. Presidenti francez, Emmanuel Macron inicioi nismën në dhjetor të ketij viti. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›