Bisedime mes Rusisë dhe SHBA, takimi për fundin e luftës por pa praninë e Ukrainës

Ka nisur takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë në Arabinë Saudite.
Pala amerikane, e përfaqësuar nga sekretari i shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare Mike Waltz dhe të dërguarit e posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Hickoff, ka bërë me dije se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisjen e negociatave.
Bisedimet kanë për qëllim të zbulojnë nëse Rusia është “serioze” për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Nga ana tjetër, rusët, të përfaqësuar nga Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltari për politikë të jashtme i kreut të Kremlinit, Yury Ushakov, kanë deklaruar se fokusi do të jetë normalizimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa po mbahet takimi mes delegacioneve të Moskës dhe Uashingtonit, vihet re mungesa e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit ka vuajtur agresionin rus. Mësohet se ai është nisur për të takuar homologun e tij turk, Rexhep Tayip Erdogan.
Takimi në Riad zhvillohet pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse këto përpjekje së fundi kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë.
Nga kjo trysni e shtuar, presidenti francez Donald Trump mblodhi liderët evropianë në një samit urgjent.
Pas takimit, shefi i Elizesë, Emmanuel Macron, nëpërmjet një postimi në X, deklaroi se arritja e një marrëveshjeje paqeje duhet të shoqërohet me garanci të forta dhe të besueshme sigurie për ukrainasit.
“Ne kërkojmë një paqe të fortë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Për ta arritur këtë, Rusia duhet t’i japë fund agresionit të saj dhe kjo duhet të shoqërohet me garanci të forta dhe të besueshme sigurie për ukrainasit. Në të kundërt ekziston rreziku që ky armëpushim të përfundojë si marrëveshje e Minskut. Ne do të punojmë për këtë së bashku me të gjithë evropianët, amerikanët dhe ukrainasit. Ky është çelësi.”
Sakaq Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i tha të dërguarit të SHBA-së për Ukrainën Keith Kellog se Bashkimi Evropian dëshiron të “punojë së bashku me SHBA-në për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të ndihmuar në sigurimin e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme që Ukraina dhe populli i saj meritojnë.
/vizionplus.tv