BSH: Çmimet e banesave vijojnë rritjen, por ngadalësohet ritmi në kryeqytet

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Çmimet e banesave në Shqipëri kanë vijuar rritjen edhe gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, por me një ritëm më të moderuar, sipas Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë 2025, të Bankës së Shqipërisë.
Indeksi Fischer tregon se çmimi mesatar i banesave të shitura është rritur me 11,7% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 28% në raport me një vit më parë, ndërsa rritja vjetore është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën paraardhëse.
Në Tiranë, tregu i banesave ka shfaqur një stabilizim të dukshëm, ku çmimet kanë mbetur të pandryshuara ndaj gjashtëmujorit të kaluar dhe janë rritur vetëm 4,4% në bazë vjetore.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e përgjithshme e tregut është mbështetur kryesisht nga zonat bregdetare, ndërsa është vërejtur edhe një përshpejtim në shitjen e pronave, me ulje të kohës mesatare të transaksioneve në nivel vendi.
Raporti thekson gjithashtu se kredia bankare vijon të jetë burimi kryesor i financimit të blerjeve të pronave, ndërsa kërkesa për qira dhe çmimet në këtë segment kanë shënuar rritje, veçanërisht në zonat urbane.
/e.xh/r.e/a.f/