E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Diktaturat nuk zhvillojnë zgjedhje, rrëzohen me kryengritje paqësore

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se qeverisja aktuale është “një narkodiktaturë autokratike që bazohet në farsën elektorale, që pranon pluralizmin, por e shtyp pluralizmin”.

Sipas tij, ka pasur përpjekje për ta kthyer Partinë Demokratike në një fasadë të qeverisë dhe aleate në bashkëqeverisje.

Berisha tha se rikthimi i tij në drejtimin e PD-së nuk ka lidhje me shpalljen “non-grata” nga SHBA, teksa shtoi se “kur pashë duart e zeza të kontrollonin partinë e demokratëve, atëherë ndërhyra fuqishëm dhe së bashku me demokratët e shpëtuam këtë parti”.

Kreu i PD-së nënvizoi se zgjedhjet në Shqipëri janë kthyer në “farsë elektorale”, ndërsa theksoi se standardet ndërkombëtare janë shkelur.

“E kam thënë dhe e them, 2021-shi nuk ishin zgjedhje, ishin farsë. Kurse më vonë, qoftë në vitin 2023, qoftë në vitin 2025, PD arriti ta gozhdojë Edi Ramën si armik të votës së lirë. Arriti të mbrojë votën e shqiptarëve në kuptimin që në institucionet më prestigjioze të vlerësimit të zgjedhjeve, zgjedhjet në Shqipëri u konsideruan si zgjedhje në kushtet e partisë shtet. Kuptohet që ishin farsë dhe jo zgjedhje. Zgjedhjet në Shqipëri, u tha me zë të lartë, se organizatat kriminale nuk lejojnë rotacionin e pushtetit në Bruksel.

Se zgjedhjet në Shqipëri shkelën standardet kryesore të dokumenteve të Kopenhagenit për zgjedhjet, të platformës së Këshillit të Europës për zgjedhjet dhe dokumente të tjera. Pra, kjo parti mbrojti, brenda dhe jashtë vendit, votën e shqiptarëve. Diktatura nuk zhvillon zgjedhje. Në diktaturë ka farsë”, tha ai.

I pyetur mbi strategjinë për rrëzimin e qeverisë, Berisha u shpreh se ndryshimi nuk mund të vijë përmes votës në kushtet aktuale, por përmes “lëvizjeve të fuqishme dhe kryengritjes paqësore”.

“Unë u them shqiptarëve se do mbroj votën, dhe në qoftë se të kujtohet, zotimi im ka qenë mbrojtja e votës. Diktaturat nuk bëjnë zgjedhje. Ata që duan zgjedhje, ata duan të përmbysin diktatorin. Ata të cilët besojnë se mund të ketë zgjedhje në diktaturë, ata mashtrojnë veten e tyre dhe bëjnë lojën e diktatorit.

“Diktatori rrëzohet me lëvizje të fuqishme, me kryengritje paqësore. Edhe të armatosur, për ata që janë ekstremistë të majtë, ne nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dhunë. Jo. Sepse ajo ikën një diktator dhe sjell një diktator tjetër. Rrëzimet me guerile nuk kanë sjellë ndonjëherë demokraci, kanë sjellë dhunë. Kështu që ne i përmbahemi atyre parimeve mbi të cilat jemi themeluar, parti e vlerave, parti që beson se pushteti duhet të burojë nga vota e lirë”, tha Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›