BSH: Kredia e re për ekonominë, 41.4 miliardë lekë në gusht

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për muajin gusht 2024 kredia e re për ekonominë shënoi vlerën 41.4 miliardë lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ky tregues shënoi rritje me 42 %.
Rritja më e madhe e kredisë rezultoi në segmentin e biznesit dhe korporatave.
Sipas BSH-së, kredia e re për biznesin gjatë muajit gusht shënoi vlerën 33.5 miliardë lekë ose rreth 55% më e lartë se vitin e kaluar.
Për të njëjtën periudhë, për individët bankat dhanë 7.9 miliardë lekë kredi, me rritje 4.5% kundrejt gushtit 2023.
Për të gjithë 8-mujorin e vitit, vlera e kredisë së re të dhënë nga sektori bankar arriti në 252.4 miliardë lekë, në rritje me 32 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur BSH-ja.