E Enjte, 5 Nëntor 2026

Aktorja e njohur britanike Maggie Smith, ylli i Harry Potter dhe Downton Abbey, vdes në moshën 89-vjeçare

LONDËR, 27 shtator /ATSH/- Maggie Smith, aktorja fituese e çmimit “Oscar”, e njohur për rolet e saj të spikatura në “The Prime of Miss Jean Brodie”, “Harry Potter”, “Downton Abbey” ka vdekur në moshën 89-vjeçare, sipas “The Guardian”.

Lajmi u konfirmua nga djemtë e saj Chris Larkin dhe Toby Stephens.

“Smith ndërroi jetë paqësisht sot në spital”, sipas deklaratës së tyre.

E lindur në vitin 1934, Smith u rrit në Oksford dhe nisi të aktrojë në teatrin “Playhouse” të qytetit që në adoleshencë.

Ajo u shfaq në një sëri shfaqjesh skenike, duke përfshirë komedinë e Bamber Gascoigne të vitit 1957 “Share My Lettuce” përballë Kenneth Williams.

Ajo spikati në film, me rolin e saj të parë të rëndësishëm në thriller-in e Seth Holt të vitit 1958, “Nowhere to Go”, për të cilin ajo u nominua si aktorja më e mirë në rol dytësor në ndarjen e çmimeve “Bafta”.

Pasi luajti në filmin e Peter Shaffer “The Private Ear” dhe “The Public Eye”, Smith u ftua nga aktori dhe regjisori Laurence Olivier për t’u bashkuar me kompaninë e sapokrijuar të Teatrit Kombëtar në 1962.

Gjatë kësaj kohe, ajo u shfaq në shumë produksione, duke përfshirë në rolin e Desdemonës në filmin “Othello” në vitin 1964. Smith përsëriti rolin në versionin filmik, për të cilin u nominua për çmim “Oscar”.

Në vitin 1969, ajo mori rolin kryesor në filmin “The Prime of Miss Jean Brodie” dhe u nderua me çmimin “Oscar” si aktorja më e mirë në vitin 1970.

Smith u nominua për një tjetër “Oscar” si aktorja më e mirë në vitin 1973 për rolin e saj në filmin “Travels with My Aunt”.

Në 1979, ajo fitoi “Oscar” si aktorja më e mirë në rol dytësor – në filmin “California Suite”, antologjia e skenarit të Neil Simon – në të cilën ajo luan rolin e një ylli kinematografik të nominuar për “Oscar”.

Smith vazhdoi karrierën e saj të suksesshme paralelisht në film dhe skenë në vitet 1980.

Ajo luajti përballë Michael Palin në “A Private Function”, një komedi e kohës së luftës – dhe pati një rol të gjallë në “A Room With a View” të Merchant Ivory, për të cilin ajo u nominua me një tjetër “Oscar”.

Në skenë ajo luajti “Virginia Woolf” në shfaqjen e Edna O’Brien të vitit 1980 në teatrin e Festivalit Stratford në Kanada, dhe në 1987 luajti si udhërrëfyese turneu në “Lettice and Lovage” të Peter Shaffer.

Ajo gjithashtu pranoi rolin e spikatur të Minerva McGonagall në serinë e filmave “Harry Potter”, duke u shfaqur midis viteve 2001 dhe 2011 në çdo pjesë, përveç “Deathly Hallows” pjesa e parë.

Smith u martua dy herë, me aktorin Robert Stephens midis viteve 1967 dhe 1975, dhe Beverley Cross në 1975 deri në vdekjen e tij në 1998. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›