E Hënë, 2 Nëntor 2026

BSH: Leku mbiçmohet 3,2 % në tremujorin e dytë, investime e huaja direkte u rritën 12%

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Leku vijoi trendin e mbiçmimit edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën me 12%, duke shtuar ofertën e valutës në tregun vendas, sipas Bankës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i lekut kundrejt euros zbriti në 94,8 lekë në qershor, nga 96 lekë në mars, me një forcim mesatar mujor të lekut prej 0,4%.

Në terma vjetorë, mbiçmimi i lekut u përshpejtua në 3,2% në tremujorin e dytë, nga 2,6% në tremujorin paraardhës.

Tendenca mbiçmuese u theksua edhe më tej gjatë muajit korrik. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tri javët e para të muajit kursi mesatar euro/lek zbriti në 93,8 lekë, duke shënuar një forcim vjetor të lekut prej 4%.

Banka e Shqipërisë e lidh këtë zhvillim edhe me rritjen e flukseve valutore në vend. Investimet e huaja direkte u rritën me 12%, duke u përkthyer në një ofertë më të madhe të valutës në tregun vendas dhe duke favorizuar shfaqjen më të hershme të presioneve mbiçmuese.

“Analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë”, vlerëson Banka e Shqipërisë.

Forcimi i lekut vijon të jetë një nga zhvillimet e rëndësishme në tregun valutor, në kushtet e rritjes së ofertës së valutës nga flukset hyrëse në ekonomi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, mbiçmimi i lekut dhe rënia e kursit euro/lek pasqyrojnë ndryshimet strukturore dhe konfigurimin e ri të ekonomisë shqiptare, ku flukset hyrëse të valutës kanë rritur ofertën në tregun vendas. Këtu ndikojnë edhe rritja e investimeve të huaja direkte, të ardhurat nga turizmi dhe flukset e tjera valutore, të cilat krijojnë presione për forcimin e monedhës vendase.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›