Ndihma juridike falas, jo vetëm për personat pa të ardhura

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Ndihma juridike falas nuk është e kufizuar vetëm për personat që nuk kanë asnjë të ardhur. Përmes një videoje informuese të publikuar në rrjetet sociale, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, sqaroi disa prej keqkuptimeve më të përhapura mbi kriteret dhe mënyrën e përfitimit të këtij shërbimi.
Sipas informacionit të përcjellë nga ministri, përfitimi i ndihmës juridike nuk varet vetëm nga mungesa e të ardhurave, pasi ligji parashikon kritere ekonomike, si dhe kategori të veçanta përfituesish, në varësi të rastit konkret.
Një tjetër mit që sqarohet është pagesa për konsultën ligjore. Këshillimi juridik parësor ofrohet falas për qytetarët që plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.
Ndihma juridike falas nuk kufizohet vetëm te shërbimi i avokatit. Sipas videos që ndan Gogu, ajo përfshin informimin ligjor, këshillimin, ndihmën për hartimin e dokumenteve si dhe orientimin e qytetarëve drejt institucioneve përkatëse, ndërsa përfaqësimi nga avokati ofrohet në rastet e parashikuara nga ligji.
Ministria e Drejtësisë thekson gjithashtu se procedurat e aplikimit janë të standardizuara dhe qytetarët mund të asistohen gjatë plotësimit të dokumentacionit nga ofruesit e ndihmës juridike.
Shërbimi nuk është i kufizuar vetëm për banorët e Tiranës. Ndihma juridike falas ofrohet në të gjithë vendin, përmes qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore dhe ofruesve të autorizuar.
/m.q/j.p/r.e/