E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Qeveria të shkurtojë shpenzimet korrente

Banka qendrore sugjeron shkurtimin e shpenzimeve për paga e pensione

Banka e Shqipërisë i bëri thirrje dje qeverisë të shkurtojë shpenzimet korrente, ku përfshihen shpenzimet e qeverisë për paga e pensione, si një domosdoshmëri për të ruajtur stabilitetin e vendit. Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, BSH bëri të ditur se përmirësimi i ekonomisë shqiptare nuk pritet të ndodhë para fundit të këtij viti, se kreditimi pritet të gjallërohet vetëm në vitin 2011 dhe se të ardhurat e qeverisë janë të pasigurta.

“është e domosdoshme të kontrollohet deficiti buxhetor për vitin 2010, në nivele që garantojnë respektimin e objektivave të përcaktuar në Kuadrin Makroekonomik Afatmesëm, në lidhje me nivelin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”, deklaroi BSH. “Shkurtimi i shpenzimeve, veçanërisht i atyre korrente, duhet të jetë instrumenti kryesor në realizimin e këtij objektivi, në kushtet kur ecuria e të ardhurave publike mbetet e paqartë dhe potenciali i rritjes së tyre duket i kufizuar”, vijon më tej deklarata.

Te shpenzimet korrente të qeverisë përfshihen shpenzimet për paga e pensione. Kjo do të thotë se BSH i kërkon qeverisë të ulë numrin e të punësuarve në administratë publike apo të ulë pagat e pensionet, megjithëse në deklaratë kjo nuk thuhet në mënyrë eksplicite.

Qeveria shqiptare shpenzoi 282 miliardë lekë për paga, pensione, interesa borxhi dhe shpenzime të tjera që janë të domosdoshme për funksionimin e qeverisë gjatë vitit të kaluar. Por të ardhurat e qeverisë nga tatimet dhe taksat qenë vetëm 270 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë dollarë më pak sesa shpenzimet e domosdoshme. Në këtë situatë, edhe nëse qeveria heq dorë nga të gjitha investimet publike, sërish nuk do të jetë në gjendje ta zgjidhë problemin pa rritjen e borxhit publik. Në rast se të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk rriten këtë vit në krahasim me vitin 2009, atëherë qeverisë do t’i duhet të marrë borxh për të mbuluar shpenzimet e veta të domosdoshme. Por kjo gjë konvertohet automatikisht në inflacion dhe zhvlerësim të monedhës kombëtare.

“Ulja e shpenzimeve publike do të ndikojë në përmirësimin e deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, duke ndikuar pozitivisht në faktorët që përcaktojnë qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit”, deklaroi BSH duke bërë të qartë për herë të parë se burimi i destabilitetit te kursi i këmbimit është shpenzimi i tepruar nga ana e buxhetit të shtetit.

Të ulen pagat?

Qeveria duket se e ka të pamundur të stabilizojë bilancin e buxhetit të shtetit këtë vit për shkak se të ardhurat tatimore janë në të njëjtin nivel me vitin 2009, ndërsa perspektiva është e zymtë për shkak të rënies drastike të importit të karburanteve. Rritja e taksave të akcizës vitin e kaluar, si dhe mbajtja e referencave doganore artificialisht të larta duket se nuk mjaftojnë për të rritur të ardhurat e qeverisë. Për të gjithë ekspertët, zgjidhjet që ka qeveria janë ose të shkurtojë shpenzimet, përfshirë edhe pagat e pensionet, ose të rrisë taksat. Ulja e pagave dhe pensioneve është e paimagjinueshme për qeverinë, pavarësisht se në muajt e fundit, buxheti është përballur me vështirësi të konsiderueshme në mbulimin e detyrimeve financiare të qeverisë. Përkundrazi, Kryeministri Sali Berisha përsërit vazhdimisht se do të rrisë më tej pagat dhe pensionet në maj. Megjithëse asnjë vendim konkret nuk është marrë në këtë drejtim, qeveria e sotme e ka dëshmuar se nuk ndalet para asgjëje kur vjen puna për rritje pagash.

Pasojat

Rritja e mëtejshme e borxhit publik të vendit, siç është edhe skenari i parapëlqyer i qeverisë, pritet të ketë pasoja negative për të gjithë ekonominë, thotë Banka e Shqipërisë.

“Konsolidimi i financave publike, i pasqyruar nëpërmjet rivendosjes së prirjes rënëse të deficitit buxhetor, merr rëndësi në lidhje me mundësinë dhe me uljen e kostos së financimit të tij, duke përmirësuar në vazhdimësi situatën e likuiditetit në tregun financiar dhe duke çliruar më shumë burime financiare në sistem, përdorimi i të cilave do të mbështesë rritjen e kreditimit në sektorin privat”, thuhet në deklaratën e djeshme të BSH.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›