E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhaku, kapoja i grupit kokaina, dy herë i ndaluar

Krasniqi, i dënuar si shpërndarës, i ndaluar kur gënjente se ishte i SHKB-së. Në treshe mundësi Ceka dhe ushtari profesionist, Lila

Shefi i grupit ishte një “oficer” i SHKB-së dhe dy vartësit ishin një mundës dhe një ushtarak. Kishin bërë treshen perfekte për të shpërndarë kokainë në kryeqytet, por plani i tyre është prishur dy net më parë, kur janë prangosur nga antidroga. Bëhet fjalë për operacionin e realizuar dy net më parë nga antidroga e Tiranës, të koduar “Smart”, ashtu siç ishte edhe makina me të cilën transportohej droga sa herë që klientët kërkonin të thithnin nga një vizë të bardhë. Megjithatë, porosia e fundit nuk ka mbërritur në destinacion, ku pritej të fitonin një shumë të madhe parash, pasi në xhepin e brendshëm të Rubin Cekës, mundës i njohur dhe njëri prej anëtarëve të grupit, u gjetën 408 gramë kokainë. Bashkë me Cekën janë arrestuar edhe i dyshuari si shef i grupit, Zhaklin Krasniqi, i thirrur ndryshe me emrin “Zhaku”, si dhe Ali Lila, ushtar profesionist në repartin ushtarak nr. 1100, Brigada e Reagimit të Shpejtë, në Zall-Herr. Sipas policisë, me ta janë shoqëruar edhe dy të rinj nga Lezha, të pafat, pasi nuk dinin asgjë në lidhje me shpërndarjen e lëndës narkotike, por ndodheshin në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.

Operacioni “Smart”

Operacioni për goditjen e tre personave të sipërpërmendur, të cilët bashkëpunojnë edhe me persona të tjerë, ka nisur kohë më parë, por ka pasur shumë vështirësi për kapjen e tyre në flagrancë, duke detyruar oficerët që të tërhiqeshin disa herë. Por, mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:00, policia ka vënë në pranga 26-vjeçarin Krasniqi dhe 20-vjeçarët Lila dhe Ceka. “Zhaku” kishte marrë mjetin e tij në Kombinat, ku banonte dhe ishte takuar me dy shokët te banesa me qira, që ndodhet në katin e dytë të një pallati pranë shkollës “Pjetër Budi”, pak metra larg rrugës “Myslym Shyri”. Ceka kishte ardhur nga Peza e Vogël, ndërsa Lila nga Ndroqi. Të tre janë takuar te shtëpia me qira, ku ishin edhe dy lezhjanët. Ata kanë dalë nga banesa, ndërkohë që janë nisur drejt Rrugës së Elbasanit. Aty janë përballur me patrullat e policisë dhe gjatë kontrollit u janë gjetur 408 gramë kokainë e pastër. Bashkë me mjetin “Smart” të Zhaklin Krasniqit, ata dhe dy lezhjanët janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 6, pasi ishte edhe zona ku ata banonin. Nga hetimet e bëra për një periudhë 3-mujore, rezultoi se ata e zhvillonin aktivitetin e tyre në shitjen e lëndëve narkotike në sasi të konsiderueshme, por edhe të ndara në porcione të vogla, në ambientet e lokaleve të natës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, Rruga e Elbasanit, Stacionit i Trenit dhe rruga “Myslym Shyri”. Për të ushtruar këtë aktivitet kriminal, kishin marrë me qira një banesë pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë, me synim shpërndarjen e kokainës. Madje, dy lezhjanët janë gjetur në banesë, kur u ushtrua kontroll nga policia. Fillimisht është menduar se edhe ata ishin të lidhur me grupin, por pas verifikimeve ka rezultuar se ata përdornin banesën e marrë me qira vetëm për të kaluar natën me të dashurat e tyre. Për këtë arsye, mëngjesin e djeshëm, të dy janë lënë të lirë. Gjatë kontrolleve të banesave, policia nuk ka mundur të gjejë prova të tjera, pavarësisht se priste të kishin sasi tjetër lënde narkotike.

Skeda kriminale

“Zhaku” nuk ishte i panjohur për policinë. Gjatë karrierës së tij kriminale, ai ishte arrestuar dy herë të tjera. Ndërsa Ceka është mundës, i cili ka dalë edhe kampion. Në lidhje me Zhakun, policia tha se për herë të parë, ai është kapur në vitin 2003. Më 13 maj të atij viti, gjatë një kontrolli në orët e paradites, ai u kap pranë banesës së tij duke tregtuar heroinë dhe iu sekuestruan nëntë gramë heroinë. Por, ndalimi i tij më i bujshëm ka qenë në vitin 2007, kur hiqej si oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Ai kishte falsifikuar një dokument dhe sa herë policia e ndalonte për kontroll, prezantohej me të si oficer i SHKB-së. Më 9 shtator të vitit 2007, Patrulla e Përgjithshme ka ndaluar një automjet tip “Volkswagen” në Tiranë, pasi kishte parkuar gabim. Teksa po i vendoste një gjobë, pronari i automjetit, Zhaklin Krasniqi afrohet duke pohuar se ishte një punonjës i SHKB-së. Duke dyshuar në identitetin e tij, agjentët e patrullës verifikuan identitetin duke zbuluar se bëhej fjalë për një mashtrim. Kaq u desh që ai të shoqërohej në polici dhe më pas u vendos që të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai shpërndante lëndë narkotike dhe njihej si “Zhaku i natës”, pasi edhe aktivitetin e ushtronte në orët e vona të natës. Policia tha se po heton edhe për persona të tjerë të implikuar në këtë grup.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›