BSH kufizon kreditë për shtëpi, ekspertët: Masat e reja nuk kanë ndikim, vetëm efekt psikologjik

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një paketë masash për të ngadalësuar rritjen e kreditimit për pasurit e paluajtshme, duke vendosur një tavan për kreditë për banesa.
Sipas saj, në kushtet e pafavorshme të çmimeve dhe në gjendjen makroekonomike të vendit, zbatimi i këtyre masave do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare.
Megjithatë, duke parë sektorin, këto praktika ka vite që ndiqen nga bankat tregtare, duke financuar jo më shumë se 70 deri 80 për qind të vlerës së blerjes së shtëpive. Edhe ekspertët mendojnë se kufizimet e vendosura nuk do të kenë ndikim të rëndësishëm, përveç faktorit psikologjik tek kredimarrësit.
“Nuk ka vendosur rregulla të reja. Për mendimin tim, Banka e Shqipërisë ka noterizuar këtë realitet, por mënyra si është bërë kjo dhe komunikimi i kësaj vendimmarrjeje lë shumë për të dëshiruar, dhe krijon efekte psikologjike në treg. Efektet reale në afatmesëm dhe afatgjatë mendojmë se nuk do të ketë,” mendon Reinaldo Pipiria nga Shoqata e Pasurive të Paluajtshme.
Por efekt minimal mund të ketë tek shtresa e mesme dhe blerësit e shtëpive të dyta.
“Mund të ketë efekte te dy ekstremet. Ekstremi i njerëzve të cilët kanë të ardhura të mira dhe që kanë qenë duke blerë pronën e dytë ose të tretë, dhe efekti i shtresës së mesme të ulët, që mezi ka pritur ta aksesojë sektorin bankar apo ndonjë projekt, që mund të ketë ofruar mundësi financimi,” shton z. Pipiria.
Në muajin maj, Banka e Shqipërisë vendosi që bankat nuk mund të financojnë më shumë se 85 për qind të vlerës së blerjes së shtëpisë së parë dhe 80 për qind për të dytën, ndërsa për kreditë në valutë, financimi ulet në 75 për qind për shtëpinë e parë dhe 70 për qind për banesën e dytë.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/