Të ardhurat nga sigurimet shoqërore, rekord në 4-mujorin e parë të 2025-ës

Për periudhën Janar-Prill 2025, punonjësit në sektorin publik dhe privat në Shqipëri kanë kontribuar me afro 59.6 miliardë lekë ose rreth 600 milionë euro në formën e detyrimeve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, duke shënuar një nga performancat më të larta historike të këtij zëri buxhetor.
“Duke rritur pagat është një nga to masat që qeveria e përdori si instrument për të rritur edhe shumën e sigurimeve shoqërore, por ka ardhur momenti të shikohet një reformë gjithëpërfshirëse me qëllim që të kemi një skemë që të bazohet te proporcionaliteti. Kjo do të thotë që kontributet e pagave të larat duhet të jetë i tillë që të japi kontribut edhe më shumë nga sa jepin sot”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, të ardhurat janë rritur me 6.5 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro, që përkthehet në një rritje prej 12.2%. Kjo ecuri pozitive shkon përtej pritshmërive, pasi edhe ndaj planifikimit zyrtar për këtë periudhë, rezultati është rreth 22 milionë euro më lart.
“Skema aktuale nuk arrin t’i prodhojë dot këto lloj benefitesh, por jep një përfitim më të lartë që pas 2015 për shkak të një formule të re të përdorur. Që të përfitohet duhet futur edhe elementi i edukimit financiar që ndikon në kulturën e njerëzve dhe nga ana tjetër lufton dhe informalitetin dhe frenon emigrimin e moshës së re të punës, që janë kontribuuesit kryesor në çdo lloj skeme”, tha Gjokutaj.
Ajo që e bën këtë shifër veçanërisht domethënëse është fakti se për herë të parë në dekadën e fundit, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kapin këtë nivel, me një rritje prej mbi 60% krahasuar me vitin 2015 – një tregues i qartë i formalizmit të tregut të punës dhe forcimit të administratës tatimore.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/