E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSPK-ja proteston në fund të majit

Punëtorët e Kosovës në javën e fundit të muajit maj do të protestojnë për të drejtat e tyre, derisa për datën e saktë do të vendoset pas takimit të Këshillit Drejtues. Kështu është bërë e ditur gjatë një konference të sotme të BSPK-së. Kështu ka deklaruar kryetari i BSPK-ës, Haxhi Arifi në një konferencë për media.
Kryetari BSPK-ës Haxhi Arifi ka thënë se punëtorët e Kosovës do të protestojnë javën e fundit të majit, për gjendjen tyre. Lidhur me kërkesat e protestës do të vendoset më vonë pas formimit të Këshillit të protestës, ka thënë Arifi, por që ato kanë të bëjnë kryesisht me hallet e përditshmërisë së punëtorëve.

“Janë ato hallet e përditshme që i kemi na të punëtorisë, implementimet e ligjeve, nxjerrja e marrëveshjes kolektive, një pagë minimale, problemi i pensionistëve, problemi i minatorëve, problemi i të papunëve, normal kemi edhe probleme shumë të theksuara edhe rreth problemit të implementimit të katër ligjeve jo vetëm i një ligji siç është ligji i punës, ligji i organizimit sindikal, ligji mbi protestat dhe ligji që e kemi të KES-it”, ka thënë Arifi, transmeton RTK.

Arifi ka thënë se ky propozimi për mbajtjen e protestës në fund të majit ka ardhur prej tij dhe si i tillë është mirëpritur, pasi, sipas tij, nuk është interesante dita kur mbahet protesta por mbajtja e saj.
“Ne si Bashkim i Sindikatave kemi propozuar në atë takim që bashkërisht të gjitha shtetet që janë në rajon ta caktojmë bashkërisht një datë, jo 1 majin dhe të jetë ajo si një datë në të ardhmen që të praktikohet që të mbahen protestat për realizimin e kërkesave të sindikatave”, ka thënë ai.

Sipas Arifit për këtë protestë do të bashkëpunohet me shoqërinë civile dhe organizata të tjera. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›