BUENOS AIRES – Brazili tërheq ambasadorin në Izrael pas mosmarrëveshjeve për luftën në Gazë

BUENOS AIRES, 29 maj /ATSH-DPA/- Qeveria braziliane tërhoqi sot zyrtarisht ambasadorin e saj në Izrael, pas një mosmarrëveshje diplomatike për luftën në Gazë.
“Federico Meyer do të përfaqësojë Brazilin në “Konferencën e Gjenevës për Çarmatimin në të ardhmen”, sipas një njoftimi në gazetën zyrtare të vendit.
Kjo do të thotë se ambasada braziliane në Izrael do të drejtohet vetëm nga një i ngarkuar me punë.
Meyer u thirr në Brazil për konsultime në shkurt pas një përshkallëzimi të mosmarrëveshjeve lidhur me vlerësimin e luftës në Gazë.
Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva e krahasoi operacionin ushtarak izraelit në Gazë me Holokaustin.
Si përgjigje, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz e shpalli atë një person të padëshiruar dhe thirri ambasadorin Meyer në memorialin e Holokaustit Yad Vashem, një hap që shihet si “një poshtërim publik” nga qeveria braziliane.
Lufta në Gazë u shkaktua nga masakra e paprecedentë e më shumë se 1200 personave nga terroristët e grupit islamik palestinez Hamas dhe militantë të tjerë më 7 tetor. Ata gjithashtu morën më shumë se 200 pengje në Gazë.
Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore. Izraeli është kritikuar ashpër pasi numri i të vdekurve në mesin e palestinezëve është rritur.
“Aktualisht janë raportuar mbi 36,100 të vdekur”, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë. //a.i/