BUKURESHT – Rutte: Kërcënimi rus nuk mbaron me fundin e luftës në Ukrainë

BUKURESHT, 6 nentor /ATSH/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka paralajmëruar se kërcënimi që paraqet Rusia nuk do të përfundojë me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet me kundërshtarë të tjerë për një “konfrontim afatgjatë”, sipas “TVP World”.
Raporti pretendon se SHBA-ja po planifikon tërheqjen e mëtejshme të trupave në të gjithë krahun lindor të NATO-s.
Duke folur sot në Forumin NATO-Industri në Bukuresht, Rutte i tha sektorit industrial të aleancës se angazhimi i vendeve anëtare për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035 ishte ajo që duhej për të qëndruar të sigurt.
“Kërcënimet me të cilat përballemi janë reale dhe të qëndrueshme. Ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia është shembulli më i dukshëm, kërcënimi me të cilin përballet aleanca është më afatgjatë”, tha Rutte.
“Rreziku që paraqet Rusia nuk do të përfundojë kur të përfundojë kjo luftë”, tha ai.
“Për të ardhmen e parashikueshme, Rusia do të mbetet një forcë destabilizuese në Evropë dhe në botë”, tha shefi i NATO-s.
“Por, Moska nuk është e vetme në përpjekjet e saj për të minuar rregullat globale”, theksoi ai.
“Ajo po punon me Kinën, Korenë e Veriut, Iranin dhe të tjerët”, tha ai.
“Ata po e rrisin bashkëpunimin e tyre industrial të mbrojtjes në nivele të papara. Ata po përgatiten për përballje afatgjatë”, tha Rutte.
“I bëj thirrje industrisë të “avancojë” në mënyrë që Aleanca e Atlantikut të Veriut të prodhojë më shumë armë se ata që kërkojnë të na dëmtojnë ose të na dobësojnë”, tha ai.
Ai tha se sasia është thelbësore dhe se vendet e NATO-s duhej të rrisnin vëllimin e prodhimit.
“Deri vonë, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Por jo më”, tha Rutte.
Rutte shtoi se mbetet thelbësore në këtë moment – rritja e prodhimit të kapaciteteve nga mbrojtja ajrore e nivelit të lartë deri te interceptorët e dronëve me kosto të ulët.
“Për ta bërë këtë, industria do të duhet të marrë përsipër disa rreziqe biznesi, pasi kohërat e rrezikshme kërkojnë veprime të guximshme”, tha Rutte. //a.i/