ZYRIH – Sutter: Marrëveshja për tarifat me SHBA-në varet nga Trump

ZYRIH, 6 nëntor /ATSH/ – Përpjekjet e Zvicrës për të siguruar një marrëdhënie tregtare më të favorshme me SHBA-në janë duke vazhduar, tha sot ministrja e Financave, Karin Keller-Sutter, pas takimit të shefave të kompanive zvicerane me presidentin amerikan Donald Trumpn në fillim të kësaj javë, sipas “Reuters”
Zvicra u trondit pasi presidenti Trump vendosi tarifa prej 39% mbi importet zvicerane në gusht, duke qenë ndër tarifat më të larta të vendosura në rishikimin e tij global të tregtisë.
Keller-Sutter, e cila ka qenë nën kritikë për menaxhimin e kësaj mosmarrëveshjeje, tha se kishte përmbushur detyrat e saj si presidente e Zvicrës kur foli me Trump përpara njoftimit të tarifave.
“Ai nuk pranoi marrëveshjen e negociuar. Pikë”, i tha Keller -Sutter gazetës “Blick në një artikull të publikuar sot. “Duhet të jetojmë me këtë. Bisedimet po vazhdojnë”.
Ajo mbeti e rezervuar për detaje mbi negociatat, ose nëse mund të arrihet një marrëveshje këtë vit.
“Në fund të fundit, vendimi për një marrëveshje ose jo i takon presidentit të SHBA-së,” shtoi Keller-Sutter.
Kompanitë zvicerane gjithashtu kanë punuar për të bindur Trump që të ulë tarifat, me një delegacion të udhëheqësve të biznesit që takuan Trump në Shtëpinë e Bardhë të martën.
Grupi, i cili përfshinte drejtues nga kompania e transportit “MSC”, orëndreqësi “Rolex”, firma investimesh “Partners Group”, tregtari i mallrave “Mercuria”, pronari i “Cartier Richemont” dhe firma e metaleve të çmuara “MKS”, kishte organizuar këtë takim për të tërhequr vëmendjen mbi pasojat e tarifave amerikane për kompanitë e tyre, tha ministria e ekonomisë së Zvicrës. /Ad.Ab./