BULLGARI – Radev nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s për shkak të mosmarrëveshjeve rreth Ukrainës

SOFJE, 27 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti bullgar Rumen Radev, një mbështetës i Rusisë, nuk ka planifikuar të marrë pjesë në samitin e NATO-s në korrik në Uashington, tha sot zyra e tij.
Vendimi i tij vjen si pasojë e politikës që qeveria bullgare po ndjek për Ukrainën.
“Radev ka refuzuar të udhëheqë delegacionin bullgar në samitin e NATO-s për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë bullgare rreth disa prej qëndrimeve të vendit në samit”, tha zyra presidenciale.
“Në mënyrë të veçantë, kjo ka të bëjë me detyrimet që Bullgaria po merr në luftën e Ukrainës”, tha zyra.
“Megjithatë, Radev ka dënuar ashpër agresionin e Rusisë që ditën e parë të luftës”, thuhet në deklaratë.
Vendimi i Radev vjen pasi qeveria bullgare miratoi qëndrimet kornizë të Bullgarisë për samitin e NATO-s, të planifikuar më 9 deri më 11 korrik, në një dokument konfidencial, i cili fillimisht nuk u bë publik.
Radev, një ish-gjeneral dhe pilot avioni luftarak, i cili dikur udhëhoqi forcat ajrore të vendit, nuk sheh zgjidhje ushtarake për luftën e agresionit rus kundër Ukrainës dhe ka kritikuar vazhdimisht mbështetjen ushtarake të qeverisë bullgare për Kievin.
Moska filloi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe pushtoi rreth një të pestën e territorit të fqinjit të saj, duke përfshirë Krimenë, të aneksuar ilegalisht nga Rusia në 2014. //a.i/