E Enjte, 5 Nëntor 2026

BULLGARI – Rosen Zheliaskov merr mandatin për formimin e qeverisë

SOFJE, 1 korrik /ATSH-ANSA-BTA/ – Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i dorëzoi sot mandatin për formimin e qeverisë së re, Rosen Zheliaskovit, anëtar i partisë konservatore GERB, fitues i zgjedhjeve të parakohshme të 9 qershorit.

Kjo forcë politike nuk ka shumicën e nevojshme në parlamentin njëdhomësh prej 240 vendesh dhe do të duhej të krijonte aleanca me grupe të tjera.

Lideri i GERB, Bojko Borisov, i cili për gati 10 vjet ishte kryeministri i vendit ballkanik, deklaroi se partia e tij, me 68 mandate, synon të formojë një qeveri të pakicës.

Rossen Zheliaskov, pas marrjes së mandatit, i ka prezantuar menjëherë presidentit Radev strukturën dhe përbërjen e kabinetit të tij të mundshëm, të përbërë ekskluzivisht nga politikanë dhe ekspertë të GERB-it.

Po ashtu gjatë ditës, presidenti Radev nënshkroi dekretin për t’i paraqitur parlamentit kërkesën për votim – të qeverisë së re të propozuar.

Partia e pakicës turke DPS, forca e dytë politike me 47 deputetë, njoftoi ditët e fundit mbështetjen e saj për GERB-in – për një qeveri të mundshme të koalicionit euroatlantik.

Në një postim në Facebook të hënën, bashkëdrejtuesi i ”Vazhdojmë ndryshimin”, Kiril Petkov shkroi se ata nuk do të mbështesin një qeveri të GERB-it dhe Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (MRF) ”për të cilën udhëheqësi i MRF, Delyan Peevski ëndërron, sepse reformat e ardhshme që i duhen Bullgarisë janë të pamundura me ato parti”.

Partia nacionaliste ”Vazrazhdane” tha për BTA-në se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar dhe se ata janë të vendosur të mos mbështesin një kabinet të GERB-UDF dhe Lëvizjes për të Drejta dhe Liri./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›