Babai i Arjan Selimit, si u arratis me 11 vetë duke shpërthyer kufirin në 88

MINELLA ANDONI, BABAI I ARJAN SELIMIT NË VITET 80 (MAJTAS) ARJAN SELIMI
Arratia spektakolare e Minella Andonit në janarin e vitit ’88, ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme të dekadës së fundit të regjimit komunist. Ishte rasti i parë që postblloku i kufirit shpërthehej nga një automjet i drejtuar nga njëri prej ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Brendshme.
Mënyra si mbërritën në Jugosllavi, e më vonë në SHBA babai i Arian Selimit me 11 të tjerë ka preokupuar si rrallëherë tërë piramidën e Sigurimit të Shtetit, që me sa duket ishte zënë në befasi. “Ishte diçka e papritur, shprehet njëri nga ish-zëvendësministrat e Punëve të Brendshme, duke kujtuar faktin që protagonist i arratisë ishte njëri nga të “zotët e shtëpisë”. Ca më tepër që Minella, sipas tij, vinte nga një familje atdhetare dhe dallohej në hierarkinë e shërbimit për profil të spikatur profesional e kulturor. Sidoqoftë, për numrin dy të Ministrisë së Brendshme, rrethanat si u shpërthye postoblloku i kufirit mesditën e 16 janarit ’88 në postën e Hanit të Hotit, ishin tërësisht specifike dhe përtej kontureve të arratisjeve të tjera. Më tej për “Panorama”, funksionari i lartë i Sigurimit zbulon për herë të parë të pathënat e arratisë spektakolare të familjes së Arian Selimit dhe odisenë e mbwrritjes së saj në SHBA.
Në janar të vitit 1988 kur ju keni qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka ndodhur një arratisje spektakolare në pikën kufitare të Hanit të Hotit me protagonist një zyrtar të Policisë, që me sa dimë ka qenë edhe miku juaj. Çfarë mbani mend nga kjo ngjarje e bujshme?
Kanë kaluar vite dhe kuptohet shumë detaje koha i retushohen dalëngadalë, por konturet e ndodhisë, për vet specifikën dhe zhurmën e jashtëzakonshme që shkaktoi, i kam parasysh si tani. Ishte një arrati disi e veçantë nga të tjerat, jo vetëm për nga numri i të depërtuarve, por edhe nga mënyra e shpërthimit të kufirit. Në krye të gjithë kësaj aventure këtë radhë ishte një nga oficerët e Ministrisë së Brendshme që kishte shkelur me dhjetëra herë postat e kufirit. Njihesha nga afër me të, dhe si i thonë, kishim një lloj miqësie. E respektoja sidomos për aftësitë profesionale dhe sjelljen qytetare…
Është fjala për Minella Andonin…

Arjan selimi (Armando Andoni) me Inis Gjonin
Pikërisht për atë, birin e një familje të njohur për atdhetari e kulturë të spikatur nga Vunoi i Bregut. Askush në atë kohë nuk e mendonte arratinë e Minellës. Vet biografia e tij nuk të linte të dyshoje assesi. Njëri nga xhaxhallarët, Llambro Andoni, ishte vrarë në luftën antifashiste dhe ishte shpallur “Hero i Popullit”. Gati i gjithë fisi Andoni ishte anëtarësuar në radhët e Partisë së Punës. I përzgjedhur nga këto rrethana, Minella u rekrutua në strukturat e Ministrisë së Brendshme, pas diplomimit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Qysh në fillimet e veta u prezantua si specialist i aftë dhe kërkues. Për disa vite shërbeu si shef prapavije në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Përkushtimi dhe profesionalizmi në punë, e bënë të njohur jo vetëm në sektorin përkatës të Ministrisë, por edhe në pjesën tjetër të institucionit. Vetë krerët e dikasterit krijuan një respekt të veçantë për mënyrën si operonte në sektorin e tij…
Po përtej profilit të detyrës, kush ishte Minella Andoni?
Një shok i mirë, i afërt e i komunikueshëm me të njohurit, një prind i ndjeshëm. Adhurues i librave dhe sidomos futbollit. Ky ishte Minella jashtë kontureve të uniformës. Kam pasur rastin të njihem edhe familjarisht me të. E shoqja, Luçija, ishte nga Shkodra. Një grua e qytetëruar, e dhënë pas humorit të vendlindjes. Punonte si ekonomiste në ndërmarrjen tregtare te “Brryli”,(sot qendra Rozafa). Shkonin shumë mirë bashkë. Përplaseshin vetëm kur ballafaqohej “Dinamo” me “17 Nëntorin”. Minella ishte dinamovit i thekur. Ajo adhuruese e skuadrës kryeqytetase. Me sa më kujtohet, ishte koha kur te “17 Nëntori” shkëlqente Ben Minga e Agustin Kola dhe te “Dinamo”, Demollari. Kishin dy fëmijë, një djalë e një vajzë…
Pra, deri në momentin e arratisë nuk ka pasur dyshime për personalitetin e tij…
Për aq kohë sa shërbeu në Tiranë njihej si një ndër specialistët e spikatur të logjistikës të strukturave të Ministrisë së Brendshme. Madje, mbaj mend se disa herë arritjet e tij ishin bërë objekt i përgjithësimeve në rang dikasteri…
Në kulmin e këtij shkëlqimi në Tiranë, ka ndodhur që Minella Andoni është transferuar në Shkodër…
Pikërisht këtu fillon edhe historia e metamorfozës së tij. Në atë kohë urdhri i këtij transferimi ka qenë diçka e beftë për Minellën, madje edhe për pjesën më të madhe të personelit të Ministrisë së Brendshme. Rasti nuk kishte të bënte thjesht me qarkullim kuadri, por edhe me ulje në detyrë, në përgjegjësi. E gjitha kjo kur kishte nisur procedura zyrtare për ta emëruar në Ministri në krye të sektorit të prapavijës. Transferimi në të tilla kushte ndiqte një procedure ekstra…
Që do të thotë…

Faksimile e dokumentit tepër sekret të Sigurimit të Shtetit për ngjarjen e 16 janarit 88
Jo për shkak të personalitetit, të aftësive profesionale, të mungesave në detyrë, por për rrethana krejt të tjera, që nuk zbardheshin kurrë publikisht. Me to njihej një pjesë shumë e kufizuar e organit të emërtesës…
Besoj se në këtë rreth të ngushtë bënte pjesë edhe zëvendësministri i linjës…
E donte rregulli i detyrës, ishte në logjikën e procedurave, jo thjesht njohja me arsyet e lëvizjeve të tilla, por edhe përfshirja në këto operacione delikate…
Pra, Minella Andoni ulej në detyrë për çështje që nuk kishin të bënin me aftësitë profesionale dhe integritetin moral. Atëherë përse e transferuan në Shkodër?
Për çështjen e të shoqes, Luçies…
Çfarë kishte ndodhur me të?
Penalizimi i Minellës lidhej me historinë e vizitës së Luçies në Itali. Pavarësisht faktit që udhëtimi matanë Adriatikut për t’u takuar me të afërmit në Romë, ishte bërë sipas procedurave zyrtare, gruaja e Minellës kishte tejkaluar limitet zyrtare të dhuratave të sjella prej andej. Madje, jo vetëm ato, por edhe “limitet” e të shprehurit në komunikimim me të afërmit në Itali. Më shumë se kaq, Luçia pas riatdhesimit, u bë objekt i detektivëve së Sigurimit për mbresat nga vizita “tronditëse”. Shumëkush prej tyre, në mënyra nga më të ndryshmet, kishte koleksionuar befasitë e saj nga realiteti italian dhe i kishte përcjellë pa koment te eprorët e lartë. “Italia është krejt ndryshe nga çllomotisim ne”. “Aty ka liri të vërte