E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai i Elenit: Vajzën ma vranë pas shpine, krimi sfidon shtetin

Shtepia e Eleni Bashos ne Shkoze

Thanas Dodi i bën apel Policisë për zbardhjen e ngjarjes

Eleni nuk na është ankuar ndonjëherë për probleme me bashkëshortin e saj, Ilian

Ende nuk e ka marrë veten nga humbja e vajzës, Elenit. As mendon se do ta marrë ndonjëherë. Nëpër kokë i sillen shumë versione pse mund ta kenë vrarë, por asnjëri prej tyre nuk i jep përgjigjen se kush është autori i plumbave. Jam krejt në ajër. Nuk e besoj dot që më vranë vajzën, nënën e dy fëmijëve. Ma vranë pas shpine, si burracakë. Një krim i ulët dhe i poshtër, që nuk ka ndodhur as në kohët kur Shqipëria funksiononte me kanun. Një krim që sfidon shtetin dhe ligjet e tij, thotë për gazetën Panorama Thanas Dodi, babai i Eleni Bashos, 36-vjeçares që u ekzekutua me 3 plumba mbrëmjen e së enjtes, pak metra para se të hynte në shtëpinë e saj, në Shkozë të Tiranës. Si prind i djegur, ai ngre zërin sa herë i kujton se ngjarja makabre ka mbetur ende pa autor, e ul volumin dhe rezervohet në dyshime për dhëndrin e tij, Ilia, ndërsa hesht komplet kur e pyet për dy fëmijët që Eleni la pas. Për dy jetimët, 15-vjeçarin Thanas (ka trashëguar emrin e gjyshit) dhe 11-vjeçaren Athina, Thanas Dodi duket se nuk gjen më fjalë. Por para se të heshtë, ne kemi biseduar gjatë…
Ngushëllime për vajzën. Si po e përballoni humbjen e saj?
Nuk është një humbje që përballohet, vetëm pranohet. Humbja e fëmijës është fatkeqësia më e madhe që mund ti ndodhë një prindi. Më dhemb në shpirt që e vranë, por edhe për mënyrën si e vranë.
Cilën mënyrë?
E vranë me plumba pas shpine. E vranë si burracakë, si ordinerë. Një krim i ulët dhe i poshtër, që nuk ka ndodhur as në kohët kur Shqipëria funksiononte me kanun. Kurrë nuk është dëgjuar më parë për gravrasje të tillë. Ky krim i shëmtuar përbën një sfidë për shtetin dhe ligjet e tij, para se ndonjë grua tjetër të ketë fatin e zi të Elenit. Para se fëmijë të tjerë të mbeten jetimë. Pasiguria ka arritur kulmin. Kriminelët, me këto lloj ekzekutimesh japin mesazhe se ata janë mbi ligjin. Dhe në rast se vrasësi i Elenit nuk gjendet, atëherë vërtet është mbi ligjin.
A e dini arsyen pse e vranë vajzën tuaj?
Jam si në ajër. Mendoj lloj-lloj versionesh, por janë fantazi kot. E vërteta është se nuk ia kam idenë pse e kanë vrarë dhe për më tepër në atë lloj mënyre, pas shpine. Nuk e heq dot nga mendja këtë. Nga nuk më shkon mendja…
Ju shkon edhe te bashkëshorti i Elenit, Ilia?
Unë nuk e kam akuzuar në asnjë moment Ilian për vrasjen e Elenit dhe as po e akuzoj. Normalisht, e kam pyetur se çfarë mund të dijë rreth ngjarjes, ndonjë gjë më tepër nga ne, duke qenë se ata ishin burrë e grua dhe më ka thënë që edhe ai është si ne. Pra, nuk di asgjë tjetër përveç faktit që i kanë vrarë gruan.
Dhe ju e besoni këtë?
Unë do të besoj atë që thotë Ilia, për sa kohë policia nuk ka prova që ai është autori i vrasjes. Është shumë lehtë që të akuzosh një person, aq më tepër në rrethanat e tij, duke qenë se nuk po gjenden elementë për zbardhjen e krimit. Unë humba vajzën, ai humbi gruan e tij dhe nënën e dy fëmijëve. Ti them unë sot që ti ma ke vrarë vajzën, por çfarë ti them pastaj nesër, pasnesër kur policia të gjejë autorin e vërtetë?! A do të ma pranonte ai ndjesën time? A do të pranonte ai që të shihja nipin e mbesën, babain e të cilëve e akuzova si vrasës. Jo, nuk dua të nxitohem dhe preferoj që ti besoj. Nuk mundem dot të dyshoj te Ilia.
Ju mbase jo, por policia ka rezervat e saj ndaj Ilias. E ka radhitur në listën e të dyshuarve kryesorë?
Policia atë punë ka, të hapë pista hetimi dhe ti verifikojë. Ama nuk më vjen aspak mirë që këto ditë është spekuluar kaq shumë. Jo çdo dyshim është fakt. Është e drejta e policisë për të dyshuar te Ilia, por jo e drejta ime për të njollosur dhëndrin pa fakte. Policia ka hapur disa pista hetimi dhe prej tyre vetëm njëra është e duhura, sepse vetë e vërteta është një. E zëmë kemi një numër prej 10 të dyshuarish nga ana e policisë, por ama vetëm një është autori. Dhe kur bën llogaritë 1 me 10, është pak e vështirë të gjesh vrasësin me hamendësime. Siç duket, Ilia është në listën kryesore të të dyshuarve të policisë, sepse është kryesori edhe në familje, por kjo nuk e bën atë vrasës.
Po te ndonjë person tjetër, dyshoni? Sado i largët qoftë dyshimi…
Nuk fantazoj dot për asnjeri. Kjo për shkakun se nuk di që vajza ime të ketë pasur probleme me ndokënd. Po ashtu, edhe për dhëndrin, Ilian. Ne jetojmë ngjitur dhe nuk na kanë sjellë telashe asnjëherë. As tani, e as më parë. Ne jemi vetëm në pritje të policisë, organeve të hetimit dhe çdo institucioni tjetër që po merret me këtë ngjarje, që të zbardhë të vërtetën. Me këtë rast, nëpërmjet gazetës suaj i bëjmë apel drejtësisë, shtetit, por edhe organizatave të grave që të gjejnë autorin e vrasjes së Elenit.
Si kanë qenë ndër vite marrëdhëniet e vajzës suaj me Ilian?
Unë nuk ua di çdo muhabet të brendshëm, pasi normalisht nuk ka çift që tregon gjërat më intime. Megjithatë, që të jem krejt i sinqertë, di të them që as unë dhe as bashkëshortja ime nuk kemi marrë asnjëherë ndonjë ankesë nga Eleni lidhur me sjelljen e Ilias. Po ashtu, me sa i kemi vënë re, kanë qenë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe shumë të lidhur me familjen dhe shtëpinë.
Po kohët e fundit?
E njëjta situatë. Madje kishin avancuar edhe në planet e tyre për të hapur biznesin më vete. Dilnin që të dy në mëngjes për ndonjë porosi dhe ktheheshin pasdite vonë, pas pune. Nuk ndodhte që në darkë të mos ishin në shtëpi, pranë fëmijëve. Në rast se kishin diçka që nuk shkonte, besoj se do ta kishim marrë vesh. Shtëpitë janë ngjitur…
Nga jashtë duket vilë e bukur shtëpia e vajzës suaj. Janë hedhur dyshime edhe për burimin e parave me të cilat është ndërtuar shtëpia e dhëndrit tuaj, duke aluduar se merrej me trafik droge?
Këto ditë janë thënë e shkruar shumë gjëra dhe drejt të them, jam indinjuar shumë. Eleni dhe Ilia kanë punuar prej më shumë se dy dekadash për të pasur këtë shtëpi që bie në sy nga jashtë dhe të mobiluar shumë thjesht nga brenda. Si kjo kanë më shumë se sa gjysma e Tiranës, madje shumë më të bukura, krejt luksoze dhe kjo nuk i bën 200-300 mijë veta trafikantë droge. Vajza dhe dhëndri kanë punuar në Greqi që nga viti 1991. Nga viti 2000 e këtej po ashtu kanë punuar me firmën e tyre të pajisjeve dentare. Pas 20 vitesh lodhje, mund, djersë, më thoni ju tani, a është mëkat të kesh një shtëpi, madje të papërfunduar akoma, në periferi të Tiranës. Dhe jo ajo periferia luksoze e Tiranës, por këtu në fund të dynjasë, në vendin më pak të preferuar, në Shkozë. Kur jemi vendosur ne këtu, ishin pak shtëpi dhe nuk kishte shumë banorë. Vetëm 2-3 vitet e fundit ka filluar të popullohet zona dhe sërish vijnë me numërim. Ju siguroj që shtëpia e vajzës sime është ngritur me djersët e ballit.
Shpesh krimet mbesin pa autor. Natën e vrasjes së Elenit ndërroi jetë edhe një femër tjetër, Megi 25-vjeçare. Edhe atë nuk dihet se kush e qëlloi. Besoni se do të gjendet vrasësi i Elenit?
Dëgjova për atë vajzë, edhe pse nuk kam shumë informacione. Shpreh ngushëllim për familjarët e saj dhe unë ua di dhimbjen më mirë se askush tjetër në këto momente. Por të paktën prindërit e saj e dinë që atë e mori plumbi. Pra, ishte rastësisht dhe e deshi Perëndia pranë dhe e mori. Ndërsa në rastin e Elenit, nuk mund të flem

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›