E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Voglit: Ju rrëfej për borxhet e pambyllura

Oficeri i vrarë në Afganistan, Feti Vogli

Bedri Vogli rrëfen karrierën dhe martesën e të birit.

Qanija, nëna e Fetiut dhe bashkëshortja, Alva, janë të sëmura që prej tri ditësh

Ato nuk janë në gjendje të flasin. Qanija, nëna e Feti Voglit dhe bashkëshortja e tij, Alva, kanë zënë divanet e shtëpisë dhe komunikimin më të mirë e kanë me mjekët që u rrinë pranë, nëpërmjet shenjave. Të tronditura nga lajmi tragjik dhe të lodhura nga pritja 3-ditore për trupin e të ndjerit, dy gratë kanë pamje krejt të zbehtë dhe nuk durojnë dot zhurma. Sytë, shumicën e kohës i mbajnë të mbyllura. Kur i hapin deri në gjysmë, shohin nga dritarja. Pamja nuk lë shumë për të dëshiruar. Jashtë xhamave qëndron gjatë gjithë kohës një ambulancë me ekip mjekësor në dispozicion, si dhe makina me vizitorë që ikin e vijnë për ngushëllime. Kërkojnë të paktën që tu kthehet trupi, se të dyja po e qajnë nën zë. Dhe kjo u bën më keq për shëndetin. Janë të dërrmuara që të dyja. Ju lutem, mos i trazoni, thotë për gazetën Panorama Bedriu, babai i Feti Voglit, kapitenit që humbi jetën mesditën e së hënës, pasi u sulmua nga policia lokale afgane në Kandahar. Vdekja gjatë misionit atje e bëri Voglin martirin e parë të Shqipërisë në Afganistan, por edhe heroin e vetë familjes. Që nga e hëna tragjike, për çdo ditë u është premtuar nga strukturat e posaçme shtetërore mbërritja e arkivolit nga Kandahari. Dje, e enjte në mëngjes, trupi i pajetë nuk ishte sjellë akoma, por shpresat ishin… për tu shuar sërish në drekë. Afganistani është larg, janë shumë procedura dhe unë e mirëkuptoj vonesën, por gratë e familjes nuk munden më. Më thanë që nuk mund të vijë as sot trupi, por e sigurt që nesër që në orën 15:30 do të jetë patjetër në shtëpi. Ta qajnë gratë me zë e ne burrat nën vete dhe ta përcjellim me të gjitha nderimet, siç e meriton, psherëtin i ati i kapiten Voglit.
Ushtria
Babai i tij, pavarësisht dhimbjes që ka për humbjen e të birit, kërkon që Fetiu të kujtohet si njeri besnik ndaj profesionit të tij dhe ndaj atdheut. Siç e shihni dhe vetë, ne nuk jemi familje e pasur. As Fetiu që jetonte më vete nuk ishte. Megjithatë, ai nuk shkoi me mision në Afganistan me qëllimin e vetëm për të bërë para, për tu pasuruar. Ka marrë tri medalje, dy në vitin 2007 dhe një në vitin 2010. Ka kryer misione të vështira, edhe me rroga qesharake. Nuk ka thënë kurrë jo. Shërbimi nën armë ishte profesioni dhe pasioni i tij. Që fëmijë e dëshironte disiplinën dhe i pëlqente të luante me armë. Kur u rrit, po ashtu. Gjithë jetën e ka pasur të lidhur me ushtrinë, ka kryer specializime të ndryshme në të gjithë botën dhe dy herë të tjera ka qenë me misione në Irak, nga dy dhe gjashtë muaj, rrëfen i ati, ndërsa saktëson se Fetiu ka mbaruar Akademinë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore dhe u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant toge në Brigadën e Stërvitjes së Bazës Bunavi. Sipas tij, në vitin 2005 Fetiu ka kryer me sukses një kurs bazë të forcave speciale dhe më pas është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë komandant grupi. Rreth një vit më vonë, për arsye shërbimi, Fetiu është vendosur për një kohë të gjatë në Vlorë, pranë Ujit të Ftohtë. Vendi ku u njoh me Alvën, vajzën që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij dhe nusja e vetme prej Jugu në të gjithë zonën.
Martesa
Kur historia vjen në këtë pikë, me shumë spontanitet ndërhyn gjyshi i Alvës. Vajza jonë vijonte universitetin për Cikël të Ulët në qytet. Ishte 20 vjeç asokohe. Ndërsa Fetiu 26-vjeçar shërbente si komandant pranë Marinës. Bëhet fjalë për para 5 vitesh, kur një ditë vjen Alva në shtëpi dhe na tregon për Fetiun. E morëm fillimisht pak me rezervë dhe duke qenë se jemi vlonjatë autoktonë, nisëm të pyesnim miq e shokë për djalin, sidomos ndër kolegë. Të gjithë na e lavdëruan si të përkryer, nuk gjetëm një person që të thoshte gjysmë fjale negative për të. Ndaj e dhamë me shumë kënaqësi, edhe pse në fshat, thotë ai, ndërsa babai i Fetiut, shton: E dini? Alva është nusja e vetme nga qyteti në këto zona, për më tepër nga Jugu. Megjithatë, e vetmja ka jetuar vetëm me javë në Shpatë, fshatin e lindjes së Fetiut dhe pas disa muajsh fejese është transferuar me shtëpi në Tiranë, në periferinë lindore. Nuk bënë dasmë, sepse kishin shumë dëshirë të blinin një shtëpi të tyre dhe nuk u dilnin paratë. Me shumë mund e kursime morën një shtëpi rrugës që shkon për në Dajt, në zonën që quhet Fresku. Me sa më ka thënë Fetiu, e kishin shlyer shumicën, por një pjesë ende ka mbetur për tu paguar, thotë Bedriu, ndërsa prek lart në oxhak portretin e zmadhuar të të birit. Është fotoja e vetme që ka në shtëpi. Edhe këtë ia sollën miqtë e kolegët e Fetiut natën kur mori lajmin e kobshëm. Ngaqë nuk para i binte shpesh të vinte këtu, për shkak të shërbimit të vazhdueshëm dhe largësisë, i mori njëherë me vete të gjitha fotot dhe nuk na ka mbetur asnjë tjetër në shtëpinë tonë, përveç kësaj, tregon ai, duke bërë me gisht nga portreti. Ai me gisht, ndërsa mbesa me sy. Është Egi, vajza e vetme e kapiten Voglit. Teksa sheh shumë njerëz nëpër shtëpi, vazhdimisht pyet se cilët janë dhe pse kanë ardhur. Më 7 mars mbush 3 vjeç. Ishte pika e dobët e Fetiut, e donte çmendurisht. Tani vajza e kërkon gjithë kohës dhe nuk dimë çfarë ti përgjigjemi. Si e vogël që është, vetëm pak fjalë di të shqiptojë dhe normalisht babi e thotë vazhdimisht, thotë Bedriu, teksa ora ka kaluar 17:00. Koha për ngushëllim e dhjetëra kolegëve që duken në oborr, por edhe e mirësjelljes së babait të kapitenit që ta lejojmë të ikë për të respektuar këta vizitorë, miq të armëve ndër vite të Fetiut.

Vizitë nga familja Peci
Prindërit e Aleksandër Pecit, nëntetarit që u plagos gjatë sulmit në Afganistan ku mbeti i vdekur kapiten Feti Vogli, kanë vizituar familjen e këtij të fundit. Erdhën prindërit e Aleksandrit dhe disa të afërm. Ai dhe im bir, Fetiu, përveçse ishin në të njëjtin mision, ishin edhe shumë shokë bashkë. Na ngushëlluan dhe ata na e dinë më mirë dhimbjen, sepse e përjetuan edhe vetë për 2-3 orë. Falë Zotit që për ata nuk ishte e vërtetë dhe i uroj Aleksandrit shërim të shpejtë, thotë Bedriu, babai i kapiten Voglit.

Ra ky mort e shtrohet rruga
Fshati Shpat, ashtu siç ka edhe emrin, gjendet në shpatet e kodrave dhe maleve që lidhin Tiranën dhe Elbasanin. Rruga drejt komunës që e përfshin, Baldushkut, është e asfaltuar dhe me vila të bukura përreth, por sapo merr kthesën drejt Shpatit, gropa gjigante dhe kanale të ndërpresin udhëtimin e makinave të vogla. Pamja vjen krejt zhgënjyese. Më saktë, vinte. Pas vdekjes së Voglit, një urdhër i dhënë se dimë se nga kush, por mirë që është dhënë, ka bërë që gropat të mbushen me çakull dhe zhavorr.

Detyra e fundit e kapitenit
Nga viti 2007 e këtej, kapiten Vogli është dalluar me shpejtësi në profesionin e tij, duke marrë tri medalje. Që nga 16 janari ai ishte pjesë e kontingjentit EAGLE 4, në misionin paqeruajtës në Kandahar. Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e së hënës në fshatin Robat 2, në Kandahar, ku Grupi i Parë Special, i drejtuar nga kapiten Feti Vogli, është sulmuar teksa ishte në mision patrullimi. Ata kishin detyrë të patrullonin dhe siguronin jetën e personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it.

Basha ngushëllon familjen Vogli
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ngushëlloi dje familjen e kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën tri ditë më parë në krye të detyrës në Kandahar të Afganistanit. Me veprën e tij, kapiten Feti Vogli dëshmoi se ne sot tregojmë me vepra dhe jo me fjalë se jemi plotësisht të zotë, po aq të zotë sa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›