E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai ia lë krimin të birit: Më varni, nëse kam faj

Babai i autorit, Bajram Malkaj

Përlotet në Gjykatë Bajram Malkaj, ndërsa deklaroi se nëse provohet fajësia e tij, atëherë ta varin në mes të fshatit Belishovë. Në seancën e djeshme gjyqësore ku do të vlerësohej masa e sigurisë për dy të arrestuarit, babai i 19-vjeçarit Xhevit Malkaj ka hequr çdo përgjegjësi nga vetja. Ai nuk e pranoi bashkautorësinë me të birin, duke ia lënë këtij të fundit të gjithë barrën e krimit të rëndë që tronditi Belishovën, ku burrë e grua u vranë dhe më pas u dogjën në shtëpinë e tyre.

“Më varni në qendër të fshatit Belishovë, nëse unë kam faj për këtë ngjarje”, deklaroi ai dje në Gjykatë, pak para se trupi gjykues të merrte vendimin për ta liruar nga salla e gjyqit, ndërsa për të birin u la masa e sigurisë “arrest me burg”. Organi i akuzës, përfaqësuar nga prokurorja Elsa Miho, paraqiti përballë trupit gjykues fakte dhe prova që vërtetonin fshehjen e krimit nga ana e Bajram Malkajt.

Ajo i kërkoi gjykatës që të vlerësonte të ligjshëm arrestimin e kryer nga Policia, si dhe të vlerësonte me masë sigurie detyrim për paraqitje. Por pasi dëgjoi palët dhe u ballafaqua me provat, trupi gjykues vendosi lirimin në sallë të të akuzuarit dhe vendosi si masë detyrim me paraqitje dy herë në muaj në zyrat e oficerit të Policisë Gjyqësore, që merret me këtë çështje. Më pas është zhvilluar seanca në ngarkim të 19-vjeçarit, i cili nuk ka folur para trupit gjykues për masakrën që pranoi ta ketë kryer i vetëm. (GAZETA PANORAMA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›