Babai monstër mohon incestin. Murgeshat: Dyshonim
LEZHË- Babai që u arrestua për përdhunimin sistematik të së bijës ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se "me vajzën kisha mosmarrëveshje të tjera, ndaj bëri denoncimin". Por fakti tronditës duket se nuk ka qenë aq i izoluar. Murgeshat e një qendre fetare që frekuentonte vajza kanë dyshuar për problemet e 21 vjeçares.
Mësojmë se viktima e dhunës seksuale, frekuentonte një qendër rehabilitimi në qendren katolike në afërsi të fshatit Tale. Murgeshat dhe punonjëset sociale e kishin pyetur disa herë, por në asnjë rast vajza nuk ka rrëfyer historinë tragjike. Sipas murgeshave ajo nuk pranonte nga frika e të atit dhe nga opinioni. Por dyshimet kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar, ndërsa akti mizor nuk është kapërdirë nga nëna e vajzës e cila në pamundësi për të gjetur zgjidhje, i ka dhënë fund jetës këtër muaj më parë.
Ndërkohë, një ditë pas arrestimit, 64 vjeçari Prek Daka nga fshati Tale i Lezhës, ka mohuar akuzën për incest. Por ekpertiza mjeko-ligjore ka hedhur poshtë një gjë të tillë të pretenduar nga babai, duke vertetuar marredhenien seksuale. Kjo ka nxitur policinë që të kërkojë kryerjen e ekzaminimit gjinekologjik të 64 vjeçarit të arrestuar. Sipas policisë, vajza deri tani rezulton të jetë e përdhunuar, por gjithsesi hetimet vazhdojnë pas pretendime që ngriti i akuzuari. Prek Daka rezulton të ketë qënë i dënuar më parë me 15 vjet heqje lirie për vrasje, ndërsa në vazhdimsi ai kërcënonte të bijat.
Ngjarja tronditëse ka shokuar edhe banorët e zonës të cilët dënojnë aktin e babait që dhunonte seksualisht vajzën e tij. Sipas banorëve incesti është një krim i shëmtuar ndaj në të tilla raste dënimet duhet të jenë maksimale. Për 64 vjeçarin Prek Daka, banorët shprehen se ai nuk të jepte përshtypjen e një manjaku, por e vërteta tashmë duket sheshit. Po sipas këtyre banorëve vajza e tij ka qenë tip i mbylluar dhe qëndronte vazhdimisht në shtëpi. Nesër pritet që të merret edhe masa e arrestit për 64 vjeçarin Prek Daka, ku ai do të përballet me dy akuza, atë të kryerjeve të marrëdhënieve seksuale brenda gjinisë dhe nxitje në vetëvrasje të bashkëshortes e cili u vetëhelmua pasi pa me sytë e saj përdhunimin e të bijës nga ana e bashkëshortit.
Histori tronditëse, babai marrëdhënie seksuale me të bijën në Lezhë
dt. 20 korrik
LEZHË - Një 63-vjeçar nga fshati Tale i Lezhës është arrestuar nga policia pas denoncimit të bërë nga e bija, e cila akuzon të atin se e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë.
P.D. është prangosur në shtëpinë e tij, pasi e bija 21-vjeçare ka marrë kurajën për të denoncuar incestin që kryhej me të, duke i dhënë fund torturës prej gati një viti.
Dhuna psikologjike dhe seksuale ndaj vajzës nga fshati i vogël i Tales ka marrë fund kur e dhunuara është bindur nga motra e saj për të denoncuar të atin. Vetëm 4 muaj më parë bashkëshortja e 63-vjeçarit i kishte dhënë fund jetës së saj, ndërsa mësohet se shkak ka qenë pikërisht incesti që babai kryente me të bijën.
Ngjarja
Fundi i një dhunimi seksual të vajzës 21-vjeçare nga fshati Tale i Lezhës do të vinte pikërisht pas këmbënguljes që vajza tjetër e kësaj familjeje do të kishte për të bindur të motrën që të paraqitej në polici e të bënte një dëshmi rrënqethëse. Ajo çfarë ndodhte në shtëpinë e familjes prej një viti ishte një traumë e vërtetë për pjesëtarët e tjerë.
Vajza ka treguar në polici sesi i ati kryente marrëdhënie seksuale me të nën kërcënime, ndërsa frika e opinionit ka qenë ana tjetër e medaljes për të cilën ka vonuar edhe denoncimi. Për incestin në mes të babait dhe vajzës ishte në dijeni edhe pjesa tjetër e familjes, por në asnjë rast ata nuk mundën për të denoncuar apo për t'i dhënë fund kësaj tragjedie për vajzën 21-vjeçare.
Duke mos mjaftuar incesti, një tjetër ngjarje ishte shënuar në këtë familje 4 muaj më parë, kur bashkëshortja e 63-vjeçarit i ka dhënë fund jetës, ndonëse misteret e vetëvrasjes do të zbuloheshin vetëm pas arrestimit të kryefamiljarit.
Vetëvrasja e nënës
Nga dëshmitë e marra është mësuar se nëna e vajzës ka qenë në dijeni të këtij akti të turpshëm nga bashkëshorti i saj dhe nuk ka mundur ta kapërdijë ngjarjen dhe ka vendosur t'i japë fund jetës.
Siç duket vendimi për t'u vetëvrarë ka qënë zgjidhja e vetme për gruan e moshuar, e cila nuk ka gjetur asnjë rrugë tjetër për të ndryshuar fatin e së bijës. Ende nuk dihet sesi ka filluar kjo situatë në familje. Hetimet dhe dëshmitë e vajzës së dhunuar seksualisht dhe motrës së saj do të hedhin dritë mbi këtë histori tronditëse.