Bajden:SHBA do ndjekë politikë bashkëpunuese

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajden ka deklaruar se administrata e re e Barak Obamës është e vendosur të ndjekë një linjë të re për marrëdhëniet e SHBA-së me vende nëpër botë, por do të kërkojë më tepër bashkëpunim nga partnerët e saj. Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, Bajden, në fjalimin e tij të parë për politikën e jashtme të administratës Obama në Europë, është shprehur se ndodhej në kontinentin e vjetër si përfaqësues i një administrate të re, e cila ka vendosur të ndjekë një linjë të re në marrëdhëniet e Uashingtonit dhe SHBA-së me vendet në botë. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë më tepër, por gjithashtu do të kërkojnë më tepër edhe nga partnerët e saj. Amerika ka nevojë për botën, ashtu sic bota ka njevojë për Amerikën", nënvizoi Bajden. Ai tha gjithashtu se luftimi i talebanëve në Afganistan ka nevojë për përpjekje të koordinuara, dhe me Pakistanin që është një shtet kyc lidhur me këtë cështje. Bajden tha se në marrëdhëniet SHBA-Rusi ka ardhur koha që të shtypet butoni i riafrimit. Zëvendëspresidenti amerikan Bajden tha se SHBA-ja është e gatshme për bisedime me Iranin, por shtoi se Teherani do të përballej me presion dhe izolim nëse nuk hiqte dorë nga programi i tij bërthamor. Gjatë fjalës së tij ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkëpunonte për të bindur Iranin të mbyllë programin e armëve bërthamore. "Jemi të gatshëm për bisedime me Iranin dhe do t'i ofrojmë një zgjidhje tepër të qartë për këtë situatë" deklaroi Biden. Sipas tij, SHBA-ja është e angazhuar dhe do të punojë për arritjen e një zgjidhjeje për konfliktin mes izralitëve dhe palestinezëve, që bazohet në krijimin dhe ekzistencën paqësore të dy shteteve. "Ka ardhura koha dhe momenti i duhur për një zgjidhje të sigurtë të konfliktit në Lindjen e Mesme, që të ketë në themelet e saj krijimin dhe ekzistencën paqësore të dy shteteve dhe do të punojmë për arritjen e kësaj, si dhe për të zmbrapsur ekstremistët, të cilët kanë si qëllim krijimin e konfliktit", tha Bajden në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ndërkaq kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se Gjermania shpreson për një zgjidhje diplomatike në lidhje me programin bërthamor të Iranit, por është e gatshme për shtimin e sanksioneve nëse nuk arrihet ky progres. Teksa Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, tha se Rusia nuk paraqet kërcënim për Europën ose për NATO-n. Ndërkohë që shefi i NATO-s Jap de Hop Shefer kritikoi vendet europiane për neglizhencë ndaj thirrjes së SHBA-së për shtimin e trupave në Afganistan dhe intensifikimin e përpjekjeve.