Bajerni i Mynihut dhe Juventus duel në merkator për Aleks
Juventusi dhe Bajerni i Mynihut duelojnë sërish në merkato. Pas çështjes “Vidal”, e cila u ka dhënë jetë polemikave në distancë ndërmjet drejtuesve, Rumenige dhe Marota, parashikohet një duel tjetër i zjarrtë, nga i cili fituesi do sigurojë kartonin e mbrojtësit të Çelsit Aleks. Sipas të përditshmes britanike “Sun”, klubi i “Zonjës së Vjetër” ka shfaqur interesimin e saj për qendërmbrojtësin brazilian. Ky i fundit nuk gëzon besimin e trajnerit Vilas Boas, prandaj drejtuesit londinezë e kanë vendosur emrin e tij në merkato. Kartoni i mbrojtësit 29-vjeçar vlerësohet 10 milionë euro, por drejtuesit anglezë janë gati ta japin edhe në formë huazimi. Është pikërisht ky opsion i fundit që u intereson si klubit bardhezi, gjithashtu edhe atij bavarez. Karriera e mbrojtësit brazilian ka qenë me luhatje. Aleks është rritur me të rinjtë e Santosit, ku ka luajtur përkrah Elanos, Diegos dhe Robinjos. Në Evropë ka shpërthyer me fanellën e PSV-së, duke fituar kampionate dhe kupa nacionale, nën drejtimin e trajnerit Gus Hidink në fillim dhe Ronald Kumanit, më pas. Aleks ka fituar gjithashtu me Çelsin, në një kampionat edhe kupën. I vetmi faktor që ka sjellë luhatje në karrierën e mbrojtësit brazilian kanë qenë dëmtimet e tij të shpeshta.