E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajerni i Mynihut vëzhgon Currin dhe DallkunPas publikimit të lajmit në mediat ukrainase, një gjë e tillë u konfirmua zyrtarisht për “Panorama Sport” nga Debatik Curri. “Po, është e vërtetë”, pohoi mbrojtësi kuqezi, nëpërmjet linjës telefonike

E bujshme. Debatik Curri dhe Armend Dallku do të jenë sot nën vëzhgimin e një skauti të famshëm, që përfaqëson, as më pak e as më shumë, por Bajernin e Mynihut. Pas publikimit të lajmit në mediat ukrainase, një gjë e tillë u konfirmua zyrtarisht për “Panorama Sport” nga Debatik Curri. “Po, është e vërtetë”, pohoi mbrojtësi kuqezi, nëpërmjet linjës telefonike nga qyteti i Polltavës.

 Më pas, Curri sqaron: “Kemi mësuar nga klubi, që në ndeshjen kundër Ilitçivets Mariupolit, do të na ndjekë një menaxher i njohur, i cili është përfaqësues i Bajernit të Mynihut. Kaq mund të them, pasi nuk është se ka ndonjë gjë konkrete. Personalisht di vetëm që menaxheri i Hamburgut më ka vëzhguar në dy ndeshjet e Kombëtares. Tani shpresoj që të fitojmë nesër (sot) dhe natyrisht të bëj një paraqitje të mirë.”

Vorskla Polltava, ku aktivizohen prej vitesh dy kuqezinjtë, përballet në fushën e vet kundër Ilitçivets Mariupolit. Në tribunën “VIP” do të jetë “skauti” bavarez, Egon Kurdes. Sipas uebsajtit “football.ua”, ky i fundit ka marrë kontakte me klubin e Vorsklës, në mënyrë që të shtunën t’i rezervohej një vend. Kujtojmë që interesim konkret për Currin dhe Dallkun kanë pasur klube turke e ruse. Vlen për t’u përmendur Dinamo e Moskës dhe Gallatasarai. Ndërkohë, kontrata e tyre me Vorsklën përfundon në fillimin e vitit 2010.

Tashmë gjërat janë bërë më serioze dhe ata janë afër nënshkrimit të një parakontrate me klube të Bundesligës. Duke parë edhe interesimin e fundit, do të ishte diçka e madhe nëse një prej tyre bëhet pjesë e një klubi të famshëm, si Bajerni i Mynihut. Ekipi që drejtohet nga Jurgen Klinsman është interesuar gjithashtu edhe për Lorik Canën, që aktualisht është pjesë e Olimpikut të Marsejës, teksa mban shiritin e kapitenit.

Jorgis Memo

E Shtune, 04 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›