Bajpasi Vaqarr–Farkë, Komisioni për Burimet Natyrore seancë dëgjimore me banorët e prekur nga projekti

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvilloi sot një seancë dëgjimore me banorët e prekur nga ndërtimi i bajpasit Vaqarr–Farkë, me kërkesë të deputetit Redi Muçi.
Seanca u drejtua nga kryetarja e komisionit, Anila Denaj, dhe kishte në fokus shqetësimet e komunitetit lidhur me ndikimin që projekti infrastrukturor mund të ketë në jetën e përditshme të banorëve dhe në zonat ku ata jetojnë.
Gjatë diskutimeve, banorët patën mundësinë të paraqisnin problematikat dhe kërkesat e tyre, ndërsa në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore përgjegjëse për çështjet që lidhen me realizimin e projektit.
Sipas Kuvendit, qëllimi i seancës ishte dëgjimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve, evidentimi i shqetësimeve të tyre dhe përcjellja e tyre për trajtim institucional.
Denaj i dha hapësirë diskutimit të çështjeve të ngritura nga komuniteti, ndërsa deputeti Redi Muçi theksoi rëndësinë e zhvillimit të kësaj seance për të siguruar që shqetësimet e banorëve të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet.
Seanca synoi të forcojë komunikimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse, duke krijuar mundësi që kërkesat e komunitetit të merren në konsideratë gjatë trajtimit të çështjeve që lidhen me ndërtimin e bajpasit Vaqarr–Farkë.
/gj.m/j.p/r.e/