E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Greqia drejt ndalimit të rrjeteve sociale për nën 15-vjeçarët

ATHINË, 12 tetor /ATSH-ANA/ – Qeveria greke prezantoi sot një projektligj që parashikon kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale sipas moshës.

Zbatimi i masave pritet të nisë më 1 janar 2027, në kuadër të një nisme për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e mjedisit dixhital.

”Sipas projektligjit, fëmijëve nën moshën 15 vjeç do t’u ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale, ndërsa platformat do të kenë përgjegjësinë për të verifikuar moshën e përdoruesve”, njoftuan ministri i Shtetit, Akis Skertsos, ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, dhe ministri i Qeverisjes Dixhitale dhe Inteligjencës Artificiale, Dimitris Papastergiou, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në godinën e Fondacionit “Bodossaki”.

Papastergiou sqaroi se ”sipas metodës së llogaritjes së moshës që do të zbatohet, data 1 janar e çdo viti do të merret si datë reference për lindjen, në mënyrë që kufizimet e moshës të përputhen me grupet e nxënësve sipas vitit shkollor”.

Në bazë të këtij kriteri, nga 1 janari 2027, aksesi në rrjetet sociale do të ndalohet për fëmijët e lindur në vitin 2013 ose më vonë.

Skertsos njoftoi se projektligji do t’i paraqitet komisionit parlamentar kompetent nesër, më 13 tetor, ku është planifikuar edhe një seancë dëgjimore me palët e interesuara.

Qeveria synon që projektligji të kalojë për votim në seancën plenare të Parlamentit më 22 tetor./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›