E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami në top 11

Paraqitjet e mira këtë sezon e kanë shpërblyer Emir Bajramin. Kosovari, me pasaportë suedeze, është përfshirë në ekipin më të mirë të vitit në kampionatin suedez, Allsvenskan.

Për top 11, të cilët votojnë çdo vit tifozët në Suedi, futbollisti i Elfsborg u zgjodh si mesfushori më i mirë i krahut të majtë, andaj e zuri një vend në 11-shin më të mirë të vitit.

Ueb faqja suedeze, svenskafans.com e ka treguar edhe motivin pse tifozët vendosën që 21 vjeçari të përfshihej në ekipin më të mirë të vitit. Bajrami pati 27 paraqitje, 6 gola dhe 5 asistime. Gjatë pranverës dhe verës, ai ka demonstruar se praktikisht i ka të gjitha predispozitat për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare.

Ai ka teknikë të përsosur, është i mirë një kundër një, vizual të mirë të lojës me këmbë të majtë. Ai është lojtar tipik i futbollit modern, shkruan svenskafans.com. Në vjeshtë, atij i kishin ndodhur gjëra të çuditshme, por klasi i tij është evident, andaj nuk do të kalojë shumë kohë kur do të arrijnë ofertat interesante nga klubet evropiane. Bajrami, i cili është pjesë e U21 të Suedisë, konsiderohet si shpresë e madhe e skuadrës Kombëtare të Suedisë.

Emiri është mjaft i shpejtë dhe me teknikë të mirë. Ai ka teknikë aq të mirë sa që mund të vijë me top deri tek unë (jashtë fushës). Me të majtën është i shkëlqyeshëm, por është preciz me të dyja këmbët, ka thënë gazetari suedez Joakim Johansson.

Johansson mendon se Bajrami është përfshirë me meritë në 11-shin e vitit. Sipas tij, Emiri ka treguar një sezon të mirë sidomos në pranverë, ku shfaqi lojëra të pëlqyeshme së bashku me lojtarin tjetër të skuadrës, Mathias, në krahun e majtë.

Pas Evropianit U21, ai ka vazhduar të shkëlqejë, por nuk ishte ai i pranverës. Mirëpo, ka bërë disa gola dhe ka dhënë shumë topa për sulmuesit. Mendoj se do të ishte mirë për të të mbetet në Elfsborg deri verën e ardhshme, theksoi gazetari suedez.

Ai shtoi se për ta bërë kërcimin e fundit, Bajramit i nevojitet të jetë pak më inteligjent dhe të luajë për skuadrën, gjë e cila do të ishte pozitive për të. Johansson në fund thotë se shpreson që Bajrami ti kalojë problemet që ka me shpinën për tu përmirësuar edhe më shumë dhe për të treguar se kush është në çdo moment.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›