E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ta shfrytëzoj rastin

Pasi ka marrë ftesë ti bashkohet Kombëtares së Zvicrës për ndeshjen miqësore të 14 nëntorit kundër Norvegjisë, Albert Bunjaku ka treguar se një gjë të tillë as që e kishte pritur. Në intervistën dhënë ueb faqes sport.ch, sulmuesi kosovar, me pasaportë zvicerane, ka folur për bisedën e tij telefonike me trajnerin Otmmar Hitzfeld dhe për formën e tij të mirë.

Zotëri Bunjaku, në shtatë ndeshjet tuaja të para në Bundesligë ju keni shënuar katër gola? Pse po rrjedhin gjërat aktualisht kaq mirë për ju?
Bunjaku: Aktualisht e ndiej vetën mjaft të përgatitur dhe gjatë verës kisha mundësinë që të përfshihem në të gjitha përgatitjet. Krahas kësaj, edhe ekipi po më ndihmon mjaft.

Cila është receta e suksesit tuaj personal?
Bunjaku: Edhe në jetën time private gjërat po rrjedhin për mrekulli-familja ime po më përkrah. Edhe në terren po vërehet se gjërat po përputhen për mrekulli mes vete. Por, gjërat mund të rrjedhin edhe më mirë: gjatë fundjavës humbëm nga Mainzi me rezultat 1:0, pata dy mundësi të mëdha, por për fat të keq nuk i realizova.

A keni llogaritur në ftesën e Hitzfeldit?
Binjaku: Jo. Nuk e kam menduar. Natyrisht, për këtë arsye jam gëzuar edhe më shumë kur ai mu lajmërua. Po më plotësohet një ëndërr e madhe. Duhet të sigurohem që të dëshmohem gjatë përgatitjeve me Kombëtare. Kur të më ofrohet rasti, unë duhet ta shfrytëzoj atë.

Kur ju është lajmëruar Hitzfeldi?
Bunjaku: Ma ka dërguar një porosi të enjten e kaluar dhe më ka pyetur se kur mund të kontaktojë me mua. Pas treningut i jam lajmëruar menjëherë.

Çka keni biseduar me të?
Bunjaku: Kemi folur pak dhe ka qenë një bisedë mjaft e këndshme. Në trening duhet të dëshmoj aftësitë e mia. Nëse është i mendimit se jam i mirë, natyrisht se shpresoj që do të më fusë në lojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›