Balerinat, shkak i atentatit

Redi Dizdari, biznesmeni i qëlluar me armë
Dy të rinj rreth 20 vjeç, anëtarë të komunitetit rom, dyshohet se janë autorët e atentatit me armë që ndodhi dy ditë më parë ndaj pronarit të buzukut Bodrum, Redi Dizdari, në Tiranë.Grupi hetimor konsideron si një nga pistat më të mundshme, një konflikt të një jave më parë që 31-vjeçari, Redi Dizdari, ka pasur me disa të rinj të komunitetit rom që kishin frekuentuar lokalin e tij. Gjatë qëndrimit në buzukun me muzikë tallava, personat në fjalë kanë ngacmuar këngëtaret dhe kërcimtaret, që gjithashtu i përkasin komunitetit rom. Për këtë arsye, pronari ka debatuar me të rinjtë, që sipas policisë janë të moshave 18-20-vjeçare, dhe i ka detyruar që të dalin nga ambientet e lokalit të tij. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky mund të jetë një prej motiveve më të mundshme që Redi Dizdarit i bënë atentat dy ditë më parë, ku mbeti i plagosur me katër plumba në trup. Dyshimet në këtë drejtim, sipas hetuesve, përforcohen edhe nga deklarimet që ka dhënë në polici miku i Dizdarit që drejtonte makinën në afërsi të gjimnazit Partizani, në Tiranë, ku ndodhi ngjarja, si dhe vetë i plagosuri. Ata i kanë përshkruar atentatorët si pjesëtarë të komunitetit rom, por nuk kanë dhënë ndonjë emër konkret të tyre, duke pretenduar se nuk i njohin.
PLAGOSJA E BIZNESMENIT
Pronari i buzukut Bodrum në Tiranë i shpëtoi një atentati, nga i cili mbeti i plagosur me katër plumba në trup nga shtatë herë që u qëllua në drejtim të tij me pistoletë. Biznesmeni Redi Dizdari u qëllua nga dy persona në afërsi të gjimnazit Partizani në kryeqytet, teksa ndodhej në lëvizje me makinë. Rreth orës 03:50 të mëngjesit të së mërkurës, 31-vjeçari Dizdari, sapo kishte mbyllur lokalin e tij me muzikë tallave, në rrugën Thanas Ziko dhe bashkë me një mikun e tij ishte nisur me makinë drejt shtëpisë. Makina në pronësi të Dizdarit, në atë moment drejtohej nga shoku i vet, ndërsa ai ndodhej në sediljen e parë. Në kohën kur makina me targë TR. 4810-B ishte në lëvizje dy persona kanë qëlluar në drejtim të automjetit shtatë herë me pistoletë. Katër nga plumbat kanë goditur 31-vjeçarin Redi Dizdari, 2 në shpatull, në vithe dhe një në këmbë. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motor, ndërsa miku i biznesmenit ka lajmëruar menjëherë në sallën operative të Policisë së Tiranës.
PISTAT
Pas ngjarjes, janë ngritur edhe pistat e para hetimore dhe, sipas Policisë, pista më e mundshme lidhet me ndonjë konflikt për femrat që këndonin e kërcenin në buzuk Bodrumi, në pronësi të Redi Dizdarit, që ndodhet në rrugën Thanas Ziko, në Tiranë. Nga ana tjetër, specialistët e seksionit të Krimeve Kundër Jetësh dhe Lirisë së Personit po verifikojnë edhe pista të tjera, duke i lidhur me faktin se Dizdari është person me precedentë të mëparshëm penal. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 7 gëzhoja të kalibrit 9 milimetër, që dyshohet se i përkasin një pistolete, si dhe makinën me të cilën po udhëtonte biznesmeni në momentin që u plagos.
ETLEVA DELIA