E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, sërish shpërthim në Fabrikën e Çimentos

FUSHE-KRUJE- Një tjetër shpërthim ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00 në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë. Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndën eksplozive në fabrikë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Fatmirësisht, punëtorët e paktë që janë ndodhur në vendin e punës nuk kanë pësuar lëndime. Policia e Fushë-Krujës e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti menjëherë dhe nisi hetimet. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër shpërthim u regjistrua në të njëjtën fabrikë, madje u dyshua se lënda do të shpërthente nëpërmjet telekomandës. Policia e Fushë-Krujës bëri të ditur se është duke hetuar ngjarjen, ndërsa u shoqëruan disa persona, banorë të zonës. Rastet e incidenteve në këtë fabrikë janë shtuar në kohët e fundit. Pak kohë më parë iu vu tritol shtyllës së tensionit të lartë që furnizonte fabrikën me energji, më pas ndodhi shpërthim në hekurudhë, në afërsi të Urës së Gjolës, në të cilën transportohej çimentoja. Më pas kallëpe me dinamit u vunë në ambientet e brendshme të fabrikës, ndërsa mbrëmë u shënua një tjetër ngjarje, po me lëndë shpërthyese. Burime të Policisë bënë të ditur se është dëmtuar një pjesë e murit të fabrikës si dhe janë shkaktuar disa dëme të tjera materiale.                 r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›