E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: 1 minutë heshtje për gjykatësin Kalaja, PD: Të shpallet Dëshmor i Atdheut

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Konferenca e Kryetarëve nisi sot me debate sa i takon kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për mbajtjen e 1 minute heshtje në nderim të gjykatësit të vrarë dy ditë më parë, Astrit Kalaja.

Balla depozitoi sipas rregullore kërkesën për minutën e heshtjes në nisje të seancës së nesërme plenare të Kuvendit, por deputetë të opozitën thanë se minuta e heshtjes është shumë pak.

Opozita kërkoi nisjen e procedurave nga institucionet shtetërore për të shpallur Dëshmor të Atdheut, gjyqtarin Astrit Kalaja.

Në përgjigje të propozimit të Ballës, Tedi Blushi është shprehur se nuk mjafton 1 minutë heshtje në Kuvend për gjyqtarin Kalaja, por duhet të diskutohet për sigurinë e jetës.

“Kuvendi nuk mund të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale. Akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja është alarm kombëtar për sigurinë e jetës ndaj kjo duhet të jetë temë e diskutimeve”, tha Blushi.

Blushi theksoi se “vrasja e gjyqtarit është krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare, ndaj Kuvendi duhet të debatojë për realitetin tragjik ku ndodhet vendi, ku krimi sfidon pa frikë ligjin”.

Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar propozimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për mocion me debat si dhe 2 kërkesa të depozituara nga Partia Socialiste për ngritjen e komisioneve të posaçme.

Konkretisht grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar kërkesën për zhvillim të mocionit me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me gjetjet e OLAF për Fondet nga programi IPARD.

Ndërsa Partia Socialiste kërkon ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, për realizimin e Reformës Zgjedhore si dhe për Reformën Administrativo–Territoriale.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›