E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balla: Bëni transparente kontratën me LaCivita, Berisha: Nuk jam marrë me negociatat

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi sot në një konferencë për mediet, se Chris LaCivita, kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan dhe bashkarkitekti i fushatës së rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë një nga dy drejtuesit e fushatës së PD për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj.

I pyetur sot nga gazetarët në lidhje me pagesën për angazhimin e Chris LaCivita në fushatën e PD, kryedemokrati nuk dha shumë detaje mbi marrëveshjen.

“Do t’i merrni vesh të gjitha, nuk ka asnjë sekret, ta dini mirë. Nuk jam unë personi që jam marrë me negociatat, por nuk ka asgjë që do mbetet pa u thënë. Ju siguroj, asnjë diskutim”, tha Berisha.

Gjatë seancës së sotme plenare, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, tha se Berisha nuk mund të përmendë një amerikan, të cilin e ka marrë me pagesë, ndërsa theksoi se duhet të depozitojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kontratën që është bërë me Chris LaCivita.

“Erdhe këtu dhe përmende një zotëri amerikan, të cilin e ke marrë me pagesë. Pra, e ke paguar që të vijë të bëjë një punë. Çdo deklarim i zotërisë nuk vlen minimalisht, sepse është i paguar për këtë punë. Mua më vjen shumë mirë, çdo formacion politik në botë merr njerëz që të asistojnë fushatën, por bëni mirë, minimalisht, sipas rregullave të depozitoni në KQZ kontratën që keni me zotërinë, sepse është shpenzim. Dhe kur ke një shërbim që e merr me pagesë, ai shërbim është thjesht me pagesë dhe asgjë tjetër nuk vlen përveç asaj”, u shpreh Balla.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›