Balla: Berisha quan mafiozë biznesmenët e mëdhenj që nuk mbajnë anën e tij

Tiranë, 11 dhjetor NOA Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka theksuar se Berisha quan mafioz biznesmenët e mëdhenj të cilët nuk mbajnë anën e tij.
Sali Berisha, diktatori i fundit komunist në Evropë i ka shpallur luftë të gjithë shqiptarëve të ndershëm, duke cenuar drejtpërsëdrejti themelin e demokracisë liberale, sipërmarrjen e lirë.
Tashmë në Shqipëri, nëse je biznes i madh dhe nuk punon për Sali Berishën, ky të shpall menjëherë mafioz, të ndërsen tatimorët ndërsa gjobën ta vjel ai vetë nga sekserët e oborrit.
Për sekretarin e pandreqshëm të partisë, që ka filluar të lexojë Deng Xiaopingun, sot nuk ka rëndësi nëse ke një biznes të vogël apo të madh, e rëndësishme është që të punosh për Saliun tha Balla.
Balla deklaroi gjithashtu se Sali Berisha, duhet ta dijë mirë se shqiptarët e njohin si Presidenti që çoi ushtrinë kundër popullit të vet, si Kryeministri që urdhëroi ngritjen e fabrikës së vdekjes apo që sabotoi me dashje tunelin që lidh shqiptarët.
I kujtoj sot këtij individi që në respekt të 65 vjetëve që ka, të mos flasë më për fustane apo të brendshme, se nuk i shkojnë as për moshën e as për shaminë e atllasit që mban në xhep.
Shqiptarët nuk kanë nevojë të ndoten nga papërgjegjshmëria e këtij individi.
Nuk kanë nevojë të ndoten as partnerët evropianë qofshin këta edhe të partive popullore evropiane, të cilëve në vend që Kryeministri i Shqipërisë tu kërkojë mbështetje për liberalizimin e vizave për popullin e vet, na turpëron të gjithëve me lloj-lloj trillimesh për histori mafiesh.
Prandaj i kujtoj sot këtij individi thirrjen e të gjithë shqiptarëve: Sali Berisha o hap kutitë, ose largohu përfundoi Balla.
k.k/NOA