Balla: Drejtësia shqiptare është dorëzuar përpara piromanëve

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se drejtësia shqiptare është dorëzuar përpara piromanëve, ndërsa kujtoi se shumica e çështjeve pushohen dhe pezullohen.
Pas ndalimit nga Policia e Shtetit të dy zjarrvënësve, Balla kujtoi se Kodi Penal parashikon dënime të ashpra për zjarrvënien e pyjeve me dashje, deri në 20 vite burg.
“Por duket se drejtësia shqiptare është dorëzuar përpara piromanëve. Në pesë vjet, referuar të dhënave të Prokurorisë Përgjithshme, u hetuan 211 çështje zjarrvënie, nga të cilat u gjetën fajtorë vetëm 18 persona. Shumica e çështjeve u pushuan dhe u pezulluan”, informoi Balla.
Rasti më i fundit, sipas tij, “ishte zjarri tejet i madh në Krujë, i cili u vendos nën kontroll me mjaft vështirësi”.
“Në media lexova se me urdhër të prokurorisë personi i dyshuar u lirua sepse ndalimi i tij nga Policia u konsiderua i paligjshëm nga prokurori. Ndoshta për shkak të moshës. Nëse drejtësia vazhdon me këtë ritëm, ku vetëm 1 në 12 raste zjarrvënie gjendet fajtor, dhe kur as ky 1 ndër 12 nuk bëhet shembull, zjarrfikësit nuk do t’ia dalin dot më”, tha Balla.
/m.m/r.e/