Balla: Kallëzimi i PD për koncertin e Kanye West, degradim i debatit politik, aktiviteti solli imazh pozitiv për vendin

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare të Kuvendit, komentoi kallëzimin penal të bërë nga Partia Demokratike lidhur me koncertin e artistit Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar një veprim që, sipas tij, dëmton debatin politik.
Balla tha se opozita kishte gjetur “një tjetër armik” dhe se një parti politike me përfaqësim parlamentar nuk duhet ta zhvendosë debatin në kallëzime për një aktivitet kulturor.
“U gjet edhe një armik tjetër i shqiptarëve. Hymë në listën e lajmeve qesharake në botë ku një parti politike me një prezencë jo të vogël në Kuvend regjistron kallëzim penal për një koncert”, u shpreh Balla.
Duke folur për koncertin, Balla mbështeti vendimmarrjen e qeverisë për mbështetjen financiare të aktivitetit, duke argumentuar se evente të tilla kanë ndikim në promovimin ndërkombëtar të vendit.
Sipas tij, aktiviteti solli një vëmendje të madhe ndërkombëtare për Shqipërinë dhe ndikoi në imazhin e vendit në arenën globale.
“Një aktivitet i këtyre përmasave, me mijëra pjesëmarrës, është një imazh për Shqipërinë. Një lajm pozitiv për vendin nuk mund të arrihet lehtë edhe përmes fushatave reklamuese në rrjetet më të mëdha ndërkombëtare”, tha Balla.
Kryetari i grupit parlamentar socialist akuzoi opozitën se po e zhvendos debatin politik drejt sulmeve ndaj qytetarëve dhe aktiviteteve publike, duke iu referuar edhe reagimeve në rrjetet sociale pas koncertit.
Ai foli edhe për sulmet online ndaj bizneseve dhe individëve që mbështetën ose morën pjesë në aktivitet, duke kërkuar që debati publik të mos kthehet në presion ndaj qytetarëve apo sipërmarrjeve.
Në fund të fjalës së tij, Balla e lidhi debatin me protestat e fundit, duke deklaruar se sipas tij ato kanë ndryshuar natyrë dhe janë politizuar.
“Flamingot kanë fluturuar, sorrat kanë mbetur aty”, u shpreh Balla, duke përdorur një metaforë të tijën për të kritikuar drejtimin që, sipas tij, ka marrë protesta.
/gj.m/r.e/