E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Pretendimet për ndërhyrje për shkarkimin e klerikëve, të pavërteta

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot ndaj letrës anonime të një qytetari, i cili e akuzon se ka propozuar pranë Komunitetit Mysliman Shqiptar shkarkimin apo largimin e klerikëve që kanë qëndrime kundër tij.

Balla deklaroi në mënyrën më kategorike se nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk ka kërkuar kurrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shkarkimin, largimin apo ndëshkimin e asnjë hoxhe, myftiu apo kleriku fetar.

Sipas tij, ky pretendim është i pavërtetë.

“Nëse dispononi qoftë edhe një provë të vetme që mbështet këtë akuzë, bëjeni publike. Në të kundërt, ju ftoj ta tërhiqni atë, sepse askush nuk ka të drejtë të njollosë tjetrin me insinuata”, iu drejtua ai qytetarit.

Po ashtu, Balla refuzoi gjuhën kërcënuese që përshkon letrën e cila është nisur në mënyrë anonime.

“Referencat për ndëshkime në këtë botë apo në tjetrën nuk i shërbejnë as dialogut qytetar dhe as besimit fetar. Politika dhe feja kanë secila vendin e vet dhe unë kam respektuar gjithmonë autonominë e institucioneve fetare, ashtu siç respektoj çdo besimtar të këtij vendi”, u shpreh ai.

“Nëse dëshironi ta mbështesni argumentin tuaj mbi fenë islame, atëherë duhet të kujtojmë një parim themelor të saj: besimtari nuk akuzon kurrë pa prova. Kurani i Shenjtë e dënon rëndë shpifjen dhe dëshminë e rreme, sepse ato cenojnë nderin e njeriut dhe helmojnë jetën e bashkësisë. Besimi nuk ndërtohet mbi hamendësime, por mbi të vërtetën; jo mbi aludime, por mbi fakte”, shtoi më tej Balla.

Sipas Ballës “anonimati nuk është guxim qytetar, por është mënyra më e lehtë për të hedhur baltë pa mbajtur përgjegjësi”. Balla theksoi se kush beson se po mbron të vërtetën nuk ka arsye të fshihet pas anonimatit.

“Ka edhe një paradoks që nuk mund të mos e vë në dukje. Ju më qortoni për gjoja ndërhyrje të politikës në çështjet e fesë, ndërkohë që vetë letra juaj është një akt politik. Ju zgjidhni ta publikoni atë për të ngritur akuza pa prova, por nuk zgjidhni të vendosni as emrin tuaj poshtë saj”, u shpreh ai.

Balla ftoi qytetarin ose të paraqesë provat për akuzën që kai ngritur, ose të përballet me pasqyrën si një shpifës.

“Ky nuk është vetëm një detyrim ndaj së vërtetës, po dhe ndaj vetë parimeve fetare që ju i thërrisni në ndihmë. Shqipëria është një vend ku liria e besimit është e shenjtë dhe ku shteti nuk ndërhyn në jetën e komuniteteve fetare. Kjo ka qenë dhe mbetet edhe bindja ime, dhe do të vazhdojë të jetë, pavarësisht çdo përpjekjeje për ta helmuar debatin publik me akuza anonime e të pabazuara”, u shpreh ai. /m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›