E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Koçeku të dorëzojë mandatin, protestën e kanë vjedhur nga kauza e Zvërnecit

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se protesta që nisi për shqetësimet mjedisore në Zvërnec nuk përfaqëson më kauzën fillestare.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ai tha se respekton qytetarët që dolën në protestë për mbrojtjen e mjedisit dhe për dyshimet mbi respektimin e normave mjedisore në projektin e Zvërnecit, por sipas tij, sot protesta është devijuar dhe është marrë peng nga interesa të tjera.

Balla pretendoi se në të janë përfshirë elementë të lidhur me konkurrencën rajonale turistike dhe me ndërhyrje nga vende jo miqësore me Shqipërinë.

Sipas tij, kauza për të cilën nisi protesta është lënë në harresë.

I pyetur për deputeten Marjana Koçeku, Balla u shpreh se ajo duhet të dorëzojë mandatin, pasi është zgjedhur nga Partia Socialiste dhe jo me votë të drejtpërdrejtë personale.

Duke komentuar mocionin e debatit të kërkuar nga Partia Demokratike, Balla deklaroi se nuk e njeh PD-në si ndërmjetëse mes mazhorancës dhe protestuesve.

Ai theksoi se PS nuk do të ndalojë reformat duke pritur konsensusin e opozitës, duke kujtuar se edhe reforma në drejtësi, sipas tij, u bojkotua fillimisht nga demokratët dhe më pas u votua prej tyre.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›