E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Evropën miraton tre projektligje për bujqësinë, energjinë dhe reformën në administratën publike

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi dhe miratoi tre projektligje që lidhen me sektorët e bujqësisë, energjisë dhe reformës në administratën publike.

Komisioni shqyrtoi fillimisht projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, në prani të zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri.

Guri bëri të ditur se nisma synon të lehtësojë financimin e sektorit bujqësor, duke krijuar mundësi për pagesa më të shpejta dhe më të sigurta për fermerët, si për produktin bujqësor të ardhshëm, ashtu edhe për atë të magazinuar. Sipas tij, projektligji krijon gjithashtu një sistem kolaterali të bazuar mbi produktet bujqësore.

Ai sqaroi se projektligji rregullon dy instrumente të reja financiare: dëftesën tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm dhe dëftesën tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar, si dhe procedurat elektronike për lëshimin, regjistrimin dhe çregjistrimin e tyre.

Pas diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Në vijim, deputetët shqyrtuan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që lidhet me marrëveshjen e huasë ndërmjet OSHEE Group dhe BERZH për “Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë”.

Duke prezantuar nismën, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj theksoi se projektligji është në përputhje me politikat e qeverisë për mbështetjen e sektorit elektroenergjetik dhe synon përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në kryeqytet përmes ndërtimit të një nënstacioni të ri 110/20 kV në qendër të Tiranës.

Edhe ky projektligj u miratua nga komisioni në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Komisioni shqyrtoi gjithashtu projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’”, të prezantuar nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Gjatë prezantimit, Pirdeni u shpreh se projektligji përbën një nga dy shtyllat kryesore të reformës në administratën publike dhe të përafrimit të saj me standardet evropiane, krahas ligjit për nëpunësin civil.

Ajo theksoi se nisma është rezultat i një pune dyvjeçare me institucionet e administratës qendrore dhe ato të pavarura, në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe SIGMA-n, si dhe pas një procesi të gjerë konsultimesh me ekspertë dhe grupet e interesit. Sipas saj, miratimi i projektligjit përkon me një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme e miratuan edhe këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›