Balla: Nuk është në traditën e shqiptarit të cenojë simbolet e kombeve të tjera

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar sot heqjen e flamurit të Izraelit në Ambasadën izraelite në Tiranë gjatë protestës së mbajtur mbrëmjen e së shtunës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla tha se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tij politike, por sipas tij, cenimi i përfaqësive diplomatike apo simboleve të kombeve të tjera nuk është në traditën e shqiptarëve.
Balla i bëri thirrje organizatorëve të protestës të dënojnë dhe të distancohen nga ky akt i rëndë dhe i turpshëm.
“Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tyre politike, por nuk është në traditën e shqiptarit të cenojë përfaqësitë diplomatike apo simbolet e kombeve të tjera. Populli shqiptar është njohur në histori për respektin ndaj tjetrit dhe për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. Organizatorët e protestës, kushdo qofshin ata, duhet të dënojnë dhe të distancohen nga akti i rëndë e i turpshëm i heqjes dhe përdhosjes së flamurit të Shtetit të Izraelit tek Ambasada në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme”, tha Balla.
/k.s/r.e/