Lamallari pjesëmarrësve në protestë: Jeni të mirëpritur, por kursejini vetes refrenin e “emigrantit” me biletë vetëm vajtje

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari reagoi sot lidhur me pjesëmarrjen e diasporës në protestën e djeshme që u mbajt në Tiranë kundër zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari u kujtoi atyre se ishte kryeministri i Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.
“Me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar”.
Lamallari u shpreh se “mund të mbani plis e xhamadan po të doni, por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues. Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit”, theksoi Lamallari.
Ministri Lamallari u shpreh se “shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vllain. Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’”.
“Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Lamallari.
/k.s/r.e/