Balla: Opozita duhet të reflektojë për qasjen në Kuvend, reformat nuk do të mbahen peng

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot në një deklaratë për mediet se opozita është e para që duhet të reflektojë mbi qasjen që duhet të kenë të gjithë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë.
I pyetur lidhur me vendimin e Partisë Demokratike për të mos bashkëpunuar më me mazhorancën pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Balla theksoi se interesi i vendit duhet të jetë mbi çdo urdhër politik.
“Kuvendi ka 140 deputetë të zgjedhur nga populli dhe secili prej nesh, përpara urdhrave politikë, duhet t’i bindet interesit të Shqipërisë sot”, u shpreh Balla.
Ai nënvizoi se vendi ndodhet në një moment vendimtar sa i përket procesit të integrimit europian, duke theksuar objektivat konkrete të mazhorancës.
“Jemi në një moment vendimtar për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Synimi ynë është të përmbyllim bisedimet për anëtarësim brenda vitit 2027 dhe më pas procesin e ratifikimit, për ta përmbyllur anëtarësimin brenda këtij dhjetëvjeçari, pra deri në vitin 2030”, tha ai.
Sipas Ballës, ndaj Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar nuk mund të ketë kushte, kërcënime apo shantazhe përmes bllokimit të punës parlamentare.
“Kushte, kërcënime apo shantazhime me histori komisionesh apo votimesh ndaj PS-së nuk ka. Me historinë ‘ne ikim, ne s’vijmë, ne s’votojmë’, ata të shohin punën e vet, ne do të shohim punën tonë”, deklaroi Balla.
Ai e cilësoi vendimin e opozitës si emocional dhe të lidhur me zhvillimet e javës së kaluar, duke shprehur shpresën për reflektim pas mbylljes së sesionit parlamentar.
“Është një vendim emocional, i mirëkuptueshëm në kushtet e javës së kaluar. Besoj se emocionet do t’u kalojnë dhe pas festave, me fillimin e sesionit të ri në janar, do t’i rikthehen punës”, u shpreh ai.
Balla paralajmëroi gjithashtu se nëse opozita nuk do të rikthehet në komisionet parlamentare, mazhoranca do të veprojë në përputhje me vullnetin e zgjedhësve.
“Nëse ata prishin dakordësinë për të marrë pjesë në komisione, ne do të prishim dakordësinë për shumicën në dy komisionet. Pakica nuk mund të marrë peng nevojën e reformave. Ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve, të cilët kanë përcaktuar se kush është shumica dhe kush pakica”, tha Balla.
Në përfundim, ai theksoi se gatishmëria e mazhorancës për dialog mbetet e pandryshuar.
“Gatishmëria jonë për t’u ulur me opozitën për çdo çështje mbetet e njëjtë”, theksoi Balla.
/gj.m/j.p/r.e/