E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protestat rruga e vetme, bashkëpunimi me mazhorancën vetëmashtrim

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, deklaroi se protesta mbetet, sipas tij, e vetmja rrugë përballë situatës politike në vend, duke theksuar se opozita nuk do të tërhiqet.

“Çdo deputet dhe çdo politikan duhet t’i shtrojë vetes pyetjen se çfarë kontributi do të japë në organizimin dhe konsolidimin e një lëvizjeje permanente protestuese”, tha ai.

Kreu i PD-së nënvizoi se opozita nuk do të dorëzohet. “Asnjë zgjidhje tjetër nuk ka përveç dorëzimit pa kushte, por ne nuk kemi pse të dorëzohemi”, tha Berisha.

Berisha theksoi se zhvillimet e fundit politike tregojnë, sipas tij, se çdo përpjekje për bashkëpunim minimal me mazhorancën nuk sjell rezultate në interes të qytetarëve.

Berisha u shpreh se, mbledhja shënon një moment të rëndësishëm për qëndrimin e opozitës në Kuvend.

“Kjo mbledhje shënon kthesën që duhet të marrë grupi parlamentar i PD-së në përballjen politike. Zhvillimet e ditëve të fundit faktojnë se është vetëmashtrim të mendosh se përmes një bashkëpunimi minimal mund të arrihen qëllime që i shërbejnë shoqërisë shqiptare”, tha ai.

Sipas Berishës, pavarësisht se opozita nuk i njohu zgjedhjet, ajo ishte angazhuar në një bashkëpunim të kufizuar me mazhorancën në tri çështje: zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.

Ai theksoi se procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit ishte mbajtur pezull për dy vite dhe se në fund, sipas tij, mazhoranca emëroi kandidatin e saj.

“Edi Rama faktoi se nuk ka tolerancë ndaj balancës dhe kontrollit të pushteteve. Ai e mbajti peng procesin për dy vite dhe në fund emëroi njeriun e tij”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se, kandidatura ishte paraqitur në kundërshtim me procedurat, duke nënvizuar se firmat për mbështetjen e saj ishin tërhequr përpara se çështja të shkonte në Kuvend.

Berisha pranoi se firmat fillestare për listimin e kandidaturës kishin qenë një gabim.

“Ato firma ishin një gabim dhe një nxitim. Është kërkuar ndjesë publike dhe është quajtur gabim”, tha ai.

Duke iu përgjigjur kritikave ndaj opozitës, Berisha deklaroi se, “e vërteta është se çdo firmë ishte tërhequr përpara se kandidatura të paraqitej në parlament” dhe se zgjedhja u bë vetëm me vullnetin e mazhorancës.

“Pretendimi se kandidati u zgjodh me votat e opozitës është i pavërtetë”, theksoi ai.

Kryetari i PD-së njoftoi se forumi drejtues i partisë ka vendosur ndërprerjen e çdo forme bashkëpunimi me mazhorancën.

“Me këtë akt, Edi Rama i dëshmoi opozitës dhe shqiptarëve se kurrfarë bashkëpunimi, qoftë edhe minimal, me të nuk shërben dhe nuk vlen”, u shpreh Berisha.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›