E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: Protesta, Berisha ia doli ta fundosë PD

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas protestës së opozitës të zhvilluar mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë.

Balla u shpreh se Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ia doli ta fundosë PD në shoqatë.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla vuri theksin tek numri i pjesëmarrësve duke marrë shkas nga një shprehje humoristike e aktorit Besnik Çinari.

“Siç tha i madhi Besnik Çinari: ‘Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasëm’ Natën e mirë”, shkruan Balla.

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike ka zgjatur rreth 1 orë e 10 minuta.

Ajo u mbajt në sheshin përballë Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u mblodhën mbështetës të opozitës, deputetë të Partisë Demokratike dhe aleatë të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha cilësoi protestën e sotme si “foltorja parlamentaro-qytetare”.

Berisha tha se qëllimi i protestës ishte kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, “si hap drejt krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira”.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›