E Diel, 1 Nëntor 2026

PRAGË – Presidenti Pavel kërcënon të bllokojë Babis si kryeministër

PRAGË, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, ka kërcënuar se nuk do të emërojë fituesin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, Andrej Babis, si kryeministër, për shkak të një konflikti interesi që e përfshin këtë të fundit.

Pavel tha sot se Babis duhet të zgjedhë mes rolit të tij si sipërmarrës dhe politikan.

“Nëse Andrej Babis nuk është në gjendje të zgjidhë konfliktin e tij të interesit, unë duke e emëruar atë do të kontribuoja në krijimin e një situate të paligjshme”, shpjegoi Pavel.

Ai shtoi se do të ishte më mirë që fituesi i zgjedhjeve të propozonte një kandidat tjetër për postin e kryeministrit.

Një ligj i miratuar në vitin 2007 synon të parandalojë konfliktet e interesit në Republikën Çeke.

Babis, një miliarder kritik ndaj Bashkimit Evropian, doli i pari në zgjedhjet e tetorit, me partinë e tij ANO 2011 që siguroi 34,5% të votave.

Gjatë mandatit të tij të parë ndërmjet viteve 2017–2021, Babis ia besoi kompanitë e tij një fondi besimi, por më vonë e shpërndau atë dhe ka refuzuar të sqarojë nëse do ta përsëriste këtë veprim.

Komentet e Pavelit u bënë në përvjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, i cili çoi në tranzicionin e Çekosllovakisë drejt demokracisë.

Shumë politikanë, përfshirë Babisin, vendosën kurora në memorialin e një proteste të madhe studentore që u shtyp me dhunë më 17 nëntor 1989.

Çdo vit, përvjetori shënohet me një festival të madh rrugor që përfshin koncerte./ /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›