Balla: Rastet e përmendura nga Berisha dorëheqje politike, jo pezullime nga gjykatat

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili publikoi një listë ministrash të vendeve të BE-së që, sipas tij janë pezulluar gjatë hetimeve penale.
Balla theksoi se të dëgjosh leksione nga Berisha mbi vendimet e gjykatave, “është njëlloj sikur të dëgjosh shejtanin të të shpjegojë psalmet e Biblës apo suret e Kuranit”.
Duke iu referuar qëndrimit të Kryeministrit Rama, se nuk ka asnjë rast në Europë, madje as në botë, ku një ministër të jetë pezulluar nga detyra (nuk flasim për vendim dënimi penal të formës së prerë), Berisha ka dalë sot me një listë me emra ministrash apo zyrtarësh në disa vende.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar socialist e akuzoi Berishën për mashtrim publik, duke i renditur disa kundërargumente.
Sipas Ballës, rastet e përmendura janë dorëheqje politike, jo pezullime nga gjykatat.
“Asnjë nga këto raste nuk ka lidhje me rastin që duhet t’i japë zgjidhje Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Ato janë dorëheqje të natyrave dhe konteksteve të caktuara politike, por që nuk lidhen me një vendim pezullimi të ushtrimit të detyrës. Madje, rasti i dorëheqjes së Willy Claes nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është fiks rasti se si çdo procedurë duhet të kalojë përmes parlamentit. Willy Claes dha dorëheqjen vetëm pasi parlamenti belg kishte dhënë autorizimin për hetimin gjatë kohës që kishte qenë ministër në qeverinë belge”, theksoi Balla.
Balla iu kundërpërgjigj edhe akuzave të Berishës për ish-kryeministrin rumun Victor Ponta, duke e lidhur sulmin e Berishës me çështjen e njohjes së Kosovës.
“Sa për mikun tim Viktor Ponta… sulmi yt i përhershëm ndaj tij lidhet me faktin që ishte kryeministri më i hapur rumun për njohjen e Kosovës, diçka që ty s’të pëlqen, si dhëndër i Serbisë që je”, theksoi Balla.
Në konferencën e sotme për shtyp, Berisha u shpreh se pretendimi se në Bashkimin Evropian nuk ka raste pezullimi ministrash është i rremë.
Ai përmendi edhe shembullin e ish-kryeministrit rumun Ponta, i cili dha dorëheqjen sapo iu komunikua masa e pezullimit.
/gj.m/j.p/r.e/